Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias në një mbledhje joformale të Qeverisë në Athinë i ka prezantuar pikat kryesore të propozim-marrëveshjes që do t’i dorëzohet Shkupit për zgjidhjen e kontestit rreth emrit të Maqedonisë.

Lajmi është publikuar nga mediat greke, por pa dhënë detaje mbi propozimet edhe pse supozohet se ato përmbajnë vijat e kuqe të palës greke, e cila insiston në një zgjidhje, apo emër të ri që do të përdorej si në komunikimet e brendshme, ashtu edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare të Maqedonisë.

Në hartimin e platformës greke thuhet të kenë marr pjesë 60 ekspertë të fushave të ndryshme.

Siç transmetojnë mediat në Shkup, Kotzias ka propozuar edhe pika të reja që i janë shtuar marrëveshjes e cilat pritet t’u dorëzohet autoriteteve maqedonase gjatë vizitës së tij javën e ardhshme në Shkup.

Vizitën e kryediplomatit grek e konfirmon edhe zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani, pa dhënë detaje për përmbajtjen e propozimit grek. Ai tha se me rëndësi është që procesi të përshpejtohet dhe të ketë propozime që në fund të gjendet një zgjidhje e pranueshme për të dyja palët.

“Për mua është me rëndësi të ketë dinamikë të procesit. Të ketë oferta nga njëra apo pala tjetër, por edhe nga ndonjë palë e tretë. Sa më tepër oferta, aq më mirë do të jetë, pasi do t’i japim dinamikë procesit”.

“Nëse presim se kush do të vjen me oferta, atëherë nuk do ta ndihmojmë procesin, prandaj nuk duhet të frikësohemi nëse dikush vjen me ofertë. Kjo nuk do të thotë se ajo ofertë do të jetë e fundit. Ky është një proces negociues dhe në fund duhet të gjejmë një zgjidhje të përbashkët”, ka deklaruar zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani.

Por, pala maqedonase zgjidhjen e kontestit 27 vjeçar me Greqinë nuk e sheh në ndryshimin e Kushtetutës, siç po pretendon Greqia, pasi që një gjë e tillë mund të ketë pasoja në rast të ndonjë ndryshimi të mëvonshme të sistemin juridik në Maqedoni. Kryeministri, Zoran Zaev thotë se zgjidhja duhet të përfshijë vetëm ndryshimin e emrit përmes një marrëveshjeje ndërkombëtare, ratifikimin e saj në Parlamentet e dyja vendeve, votimin e saj në Kombet e Bashkuara si dhe miratimin e një rezolute po nga OKB-ja, si garanci për zbatimin e saj.

 Derisa Qeveria shprehet e gatshme për kompromis, opozita maqedonase nga ana tjetër vazhdon ta kundërshtoj çdo zgjidhje, që sipas saj, do të nënkuptonte ndryshimin e kushtetutës me qëllim ndryshimin e emrit të shtetit.

Me vëmendje po i ndjekim të gjitha reagimet, të gjitha aktivitetet e qytetarëve si brenda ashtu edhe jashtë vendin dhe kjo është e drejtë demokratike. Por ne gjithashtu duhet të kujdesemi për njëri-tjetrin në mënyrë që ta ruajmë dinjitetin e dy popujve, të dy vendeve dhe të dy kombeve dhe gjithsesi ruajtjen e asaj që do të thotë ndjenjë, e ai është identiteti”.

“Identiteti është ndjenjë dhe për të nuk mund të negocioni, të bëni pazar. Unë besoj se në atë frymë, duke u udhëhequr me kujdes drejt partnerëve me të cilët negociojmë do të gjejmë zgjidhje”, ka deklaruar kryeministri, Zoran Zaev.

Por, përveç opozitës reagime ka edhe nga organizatat joqeveritare, të cilat kundërshtojnë edhe ndërrimin e emrit duke kërkuar nga qeveria ndërprerjen e bisedimeve.

Po ashtu, reagime ka edhe nga opozita në Greqi, por ndryshe nga ajo maqedonase, ajo kërkon që të mos pranohet asnjë zgjidhje që do të përmbante emrin Maqedoni.

Për shkak të kontestit të pazgjidhur të emrit, Greqia ka vendosur veto anëtarësimit të Maqedonisë në NATO ndërsa kundërshton edhe procesin e anëtarësimit të saj në Bashkimin Evropian./REL