1 janar 2014 – Greqia merr sot presidencën e radhës të Bashkimit Evropian.
“Më të vështirat i kaluam dhe shmangëm më të këqijat, 2014-a do të jetë një vit i rimëkëmbjes dhe i shpresës”, theksoi kryeministri Antonis Samaras në mesazhin e vet për vitin e ri, drejtuar popullit grek.
Ai theksoi se “nuk kërkojmë më huara, arritëm atë që është e vetëkuptueshme, të mbulojmë nevojat tona dhe këtë me suficitin primar. Kemi bërë hapin e parë për të qëndruar në këmbët tona, i dhamë fund rrethit vicioz të recesionit dhe 2014- lind me perspektiva rimëkëmbjeje dhe zhvillimi”.
Për shpenzimet që kërkon presidenca e radhës, Athina ka caktuar një buxhet rekord të ulët me vlerë vetëm 50 milionë euro, që është 10 milionë më pak nga ai i Irlandës, që dorëzon presidencën. Në mënyrë drastike është ulur edhe numri i nëpunësve në misionin grek pranë BE-së.





