Nga Adriatik Doçi
20 Maj 2015 – Ç’po ndodh me raportet mes Shqipërisë dhe Greqisë? Ku ndahen dhe bashkohen interesat e Tiranës dhe Athinës? A janë të interesuara Tirana dhe Athina për shpërbërjen e Maqedonisë dhe cili do të jetë fati i konfliktit gjysmë të heshtur për kufijtë detarë, pretendimet jo zyrtare territoriale për çështjen çame, kërkimet për naftë dhe ligjin e luftës? Pse Greqia befas mbështeti palën shqiptare për ngjarjen e Kumanovës në Maqedoni, por megjithatë marrëdhëniet mes dy vendeve vijojnë të përshkohen nga tensioni dhe klima e thellë e mosbesimit? Çfarë fshihet pas zbarkimit të ish-krerëve të ushtrisë greke dhe shërbimeve sekrete të Athinës, ditët e fundit, në Shqipëri? Lëvizjet e ushtarakëve grekë në Jug të vendit lidhen me situatën në Maqedoni apo me vizitën e Erdogan në Tiranë? Një mjegull e dendur pikëpyetjesh, dyshimesh dhe prapaskenash ka mbuluar raportet mes dy vendeve.
Krerët e ushtrisë greke në Jug të vendit
Elita e ushtrisë dhe e shërbimit sekret grek ka shtuar prezencën në Shqipëri. Trupa paraushtarake greke, funksionarë të lartë të ushtrisë dhe sigurimit grek po lëvizin prej disa ditësh në Jugun e Shqipërisë. Ish-shefi i Shtabit të Ushtrisë Greke mësohet se ka hyrë tre herë fshehurazi në Shqipëri, në harkun kohor të katër muajve, për një mision të dyshimtë dhe të paqartë. Ish-kreu i ushtrisë greke është parë tre herë në Shqipëri, brenda katër muajve, teksa ka zhvilluar takime intensive me ekstremistë të minoritetit grek në Shqipëri. Ndërkaq, edhe zëvendës shefi i sigurimit ushtarak grek, i pensionuar, është takuar këto ditë me krerët e organizatave joqeveritare ekstremiste të minoritetit grek në Shqipëri. Nga ana tjetër, flitet edhe për një vizitë të kreut të shërbimit sekret grek në Tiranë dhe për një takim të tijin me kryeministrin, Edi Rama. Takimi mësohet se është zhvilluar dhe mbajtur i fshehtë. Nuk dihet tema e diskutimit, por merret me mend se në takim duhet të jetë diktuar për çështjen e Maqedonisë dhe për problemet e pazgjidhura mes dy vendeve, sidomos çështja e kufijve, çështja çame, nafta dhe ligji i luftës. Po ashtu, në Jug të vendit është parë edhe ish-ministri i Mbrojtjes greke.
Në takime edhe Vangjel Dule
Ish-ministri i Mbrojtjes dhe ish-krerët e ushtrisë greke, mësohet se kanë bërë takime me Vangjel Dulen, Eleni Dhimun, Leonidhas Papën, Stavros Gjinos, etj., për njohjen e terrenit të Jugut dhe pikat strategjike. Ekzistojnë fotografi të shumta të lëvizjeve dhe takimet e tyre brenda territorit të Shqipërisë dhe në Greqi. Të gjitha të dhënat tregojnë për një vërshim të elitës së ushtrisë greke dhe të shërbimeve sekrete drejt Jugut të Shqipërisë dhe Tiranës zyrtare. Asgjë nuk dihet se çfarë po luhet në prapaskenë. Por, një gjë duket qartë, se Athina mbajti krahun e shqiptarëve për ngjarjen e Kumanovës, pasi është e interesuar për shpërbërjen e Maqedonisë. Në të njëjtën kohë qarqet e Athinës janë alarmuar për vizitën e Erdogan në Tiranë si dhe për ashpërsinë e reagimeve të diplomacisë për çështjen e kërkimit për naftë.
Alarm për vizitën e Erdogan
Vizita e Presidentit të Turqisë në Tiranë duket se ka alarmuar si asnjëherë më parë Athinën zyrtare. Mediat greke shkruajnë për një dyshim të fortë të qeverisë greke për një aleancë mes Shqipërisë dhe Greqisë, për ndryshimin e kufijve në Veri të Greqisë, me kërkesë të Shqipërisë, e cila sipas Athinës mbështetet nga Turqia. Po ashtu Greqia ka akuzuar edhe Italinë, e cila sipas grekëve po inkurajon Shqipërinë të ndalojë avancimin e Greqisë në ujërat që nuk i përkasin asaj. Teksa raportet mes dy vendeve janë të tensionuara dhe të ndera, në prapaskenë duket se ka zhvillime edhe më intensive.
Mediat greke
Mediat greke shkruajnë se Shqipëria ka pretendime territoriale ndaj Greqisë. Gazeta më e madhe greke, Kahtimerini, duke iu referuar disa burimeve diplomatike, shkruan se në notën e protestës ku kërkohet që Greqia të rishikojë planet e saj për kërkimet për naftë në detin Jon, kërkohet gjithashtu që Shqipërisë t’i vihen në dispozicion hartat e kufirit në Veri-Perëndim të Greqisë. Duke folur për Kathimerinin, burime diplomatike e kanë interpretuar këtë lëvizje si përpjekje të qartë për të vënë në diskutim kufirin mes dy vendeve. Në nivel politik, nota e protestës është parë si një lëvizje me rrezik të lartë për Shqipërinë dhe marrëdhëniet mes dy vendeve.
Të njëjtat burime i kanë thënë Kathimerinit se këto lëvizje janë të frymëzuara nga ideja nacionaliste e Shqipërisë së Madhe. Ndërkaq, ministri i Jashtëm grek mësohet se është thirrur në një seancë dëgjimore në Parlament për të raportuar për marrëdhëniet me Shqipërinë.
/Sot News /