Shteti grek do të hetojë vrasjen e ekstremistit minoritar Kostandin Kacifas në 28 tetor të vitit kaluar në fshatin Bularat të Gjirokastrës.
Mediat fqinje raportojnë se prokuroria publike greke do të kërkojë informacion dhe të dhëna nga drejtësia shqiptare mbi detajet e operacionit pasi në gjykimin e saj ende nuk është vërtetuar se Kacifas është vrarë nga Forcat Speciale shqiptare.
Hetimi është hapur për akuzën "vrasje e qëllimshme, e kryer në bashkëpunim", ndërsa do të thirren ekspertët grekë të mjekësisë ligjore.
Mediat greke duke ju referuar prokurorisë shkruajnë se autoritetet shqiptare nuk i janë përgjigjur kërkesave të vazhdueshme të familjes Kacifas mbi rrethanat e vdekjes së 35-vjeçarit.
Prokurori publik Konstantinos Simitzoglou e ka nisur punën me marrjen e dëshmive nga familjarët e minoritetit grek dhe mjekut ligjor. Hetuesi do të kërkojë nga autoritetet shqiptare detaje të policëve të përfshirë në operacion.
Më herët nëna e Kacifas duke folur për mediat ka greke ka deklaruar se kërkon arsyet e vrasjes së të birit.
"Ne duam të dimë pse fëmija ynë u vra. Ai dha një mesazh për Greqinë dhe Epirin e Veriut. Ata e vranë atë padrejtësisht, ai nuk bëri asgjë. Ai e donte flamurin e kombit. Fajtorët duhet të dalin në dritë. Ai ishte një fëmijë i qartë dhe i mirë”.
Ndërsa e motra e 35-vjeçarit, Ermioni Kacifa akuzon drejtësinë shqiptare për vonesa të qëllimshme nga drejtësia shqiptare dhe se familja po priste përgjigje se kush e vrau vëllanë e saj.





