Nga Osman Metalla
Nisja e kërkimeve të burimeve hidrokarbure në shtratin e detit Jon prej disa ditësh, e për më tepër në një zonë e cila është akoma me status të paqartë, pasi shtetet respektive RSH dhe RG janë në proces delimitimi, është një shkelje e hapur e konventës UNCLOS 1982. Neni 142 i Konventës “Të drejtat dhe juridiksioni i shtetit bregdetar” (Rights and legitimate interests of coastal States) parashikon se aktivitetet në një zonë lidhur me burimet e rezervave të cilat shtrihen përgjatë juridiksionit kombëtar të një shteti, duhet të bëhen duke respektuar interesat legjitime të shtetit bregdetar përgjatë të cilit shtrihen këto rezerva.
Për këtë qëllim, Konventa parashikon se duhet të ketë një sistem të njoftimit paraprak për të informuar shtetin tjetër, në mënyrë që të shmangen shkeljet e interesave të atij shteti.Në këtë këndvështrim, nuk është e qartë nëse pala Greke ka komunikuar me shtetin Shqiptar dhe nëse ka njoftuar lidhur me kërkimet që zhvillohen në zonen veriperëndimore të Korfuzit. Depozitat e hidrokarbureve janë vazhdim i të njëjtave rezervave që fillojnë nga bregu Shqiptar dhe si të tilla kërkimet, edhe nëse ndarja e hapësirave detare do të ishte përfunduar, duhej të ishin bërë me konsensusin e palës shqiptare përderisa ato burime shtrihen në të dy shtetet. Situata bëhet akoma më e rëndë kur këto kërkime kanë filluar në një kohë që zona ku po kërkohet është një zonë për të cilën palët kanë pretendimet e tyre. Duke ndjekur lëvizjet e anijes eksporuese “Ramform Hyperion” vihet re se kjo anije ka kërkuar dhe në zonat e pa demilituara dhe në të cilat RSH ka pretendime.
Qëndrimi në heshtje pa asnjë reagim nga ana e RSH, nuk është gjë tjetër vecse një pranim i pretendimeve të palës greke dhe heqje dore “de fakto” nga pretendimet e palës Shqiptare. Pas deklarimeve se zgjerimi i detit territorial nga ana e palës Greke nuk na dëmton, mos reagimi i tanishëm është sërish një disavantazh i madh dhe reduktim i shanseve për të mbrojtur petendimet që do të ngrihen para gjykatës ndërkombëtare!
O. M 11.11.2022