Greqi, 22 qershor 2014 – Gazeta prestigjoze greke “Kathimirini”, duke cituar burime të besueshme në rradhët e policisë greke, njofton se Ministria e Punëve të Brendshme e Greqisë është duke diskutuar me firma izraelite për të blerë të tjerë avionë pa pilot. Bëhet fjalë për avionë të tipit “Herion”, ndër më modernët e mundshëm, që mund të përdoren si për qëllime ushtarake, edhe për qëllime policore. Ky është akti i fundit në idilin e “dashurisë” izraelito-greke të shkaktuar nga përkeqësimi i marrëdhënieve ndërshtetërore izraelito-turke.
Këto avionë pa pilotë kanë filluar të përdoren me sukses nga policia greke. Avionë të tillë u përdorën një vit më parë, në muajin mars, kur disa shqiptarë u arratisën nga burgu i Trikallës. Këto avionë krahas përdorimit në kufirin greko-shqiptar do të përdoren edhe përgjatë Lumit Evros në kufirin greko-turk.
Këto mjete fluturuese në konfiguracionin policor do të përdoren për monitorimin e lëvizjes së trafikantëve shqiptarë të drogës, kryesisht kanabisit. Ato do të përdoren edhe për monitorimin e trafikantëve grekë të qënieve njerëzore, të cilët i kalojnë klandestinët në Shqipëri si vend transit drejt vendeve të zhvilluara të Evropës perëndimore dhe veriore.
Këta dronë kanë kapacitete edhe për të përgjuar telefonat celularë, për të bërë foto e filmime natën me teknikën LED, apo me rreze infra të kuqe.
/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





