TIRANE, 04 mars 2013– Shoqata e Transportit reagoi sot në lidhje me vendimin e Ministrisë greke të Transportit për pezullimin e 22 linjave të autobusëve Shqipëri-Greqi. Kreu i Shoqatës së Transportit, Ali Dyrmishi duke e cilësuar arbitrar vendimin e palës greke deklaroi se një veprim i tillë jo vetëm do të dërgojë drejt falimentit kompanitë shqiptare, por edhe do t’u dyfishojë apo trefishojë kostot e udhëtimit emigrantëve tanë, të cilët do të jenë të detyruar ta bëjnë udhëtimin me dy apo tri ndalesa.
“Kjo njëanshmëri e palës greke ka 1 vit që ne na pezullon linjat e transportit me Greqinë që për të mbrojtur interesat e një grupi të veçantë të palës së saj, për të mbajtur monopol linjat ndërkombëtare mes Shqipërisë dhe Greqisë. Sot deri në orë 12:00 kemi afatin e fundit. Jemi 35 kompani. Nga këto 22-25 kompanive u është hequr e drejta për të punuar në linjën Shqipëri- Greqi. Ky është veprim i antiligjshëm pasi ne kemi licenca deri në 2014, kjo ndodh vetëm për Shqipërinë”, deklaroi deklaroi Ali Dyrmishi, kryetar i Shoqatës së Transportuesve Ndërkombëtarë të Udhëtareve.
Dyrmishi kërkoi marrjen e masave të menjëhershme nga Ministria e Transportit të Shqipërisë për palën greke, në të kundërt paralajmëroi se Shoqata e Transportit do të bllokojë kufirin mes Greqisë në dy pika kufitare Kapshticë dhe Kakavijë. Dyrmishi sqaroi se një hap i tillë i marrë nga autoritet greke ka pasojë dhe kosto për emigrantët shqiptarë, të cilët do paguajnë një çmim më të shtrenjtë dhe do të detyrohen që lëvizjen ta kalojë nëpërmjet tre stacioneve.
“Është një katastrofë për kompanitë shqiptare, ndaj i kërkojmë ndihmë Ministrisë së Transporteve të Shqipërisë, pavarësisht se na ka dhënë ndihmë deri tani, por i bëjmë thirrje t'i drejtohet BE, për liberalizim licencash siç e ka Greqia. Jemi të vendosur të vijojmë protestën pasi nuk kemi çfarë të humbasim më, pasi kompanitë shqiptarë në bazë të këtyre licencave kemi bërë investimet tona, lëvizja e pasagjerëve nëse lejohet një akti i tillë do bëhet me 3 stacione. Liberalizim do thotë t'u shërbejmë sa më shpejt klientëve tanë dhe çmimi do jetë favorizues për klientelën shqiptare. Hapi juaj po nuk pati veprim, sot jemi paqësisht, i falenderoj të gjitha kompanitë që janë solidarizuar me ketë protestë dhe në rast se nuk do na zgjidhet problemi në do arrijmë deri në bllokimin e kufijve Kapshticë dhe Kakavijë, për të mos lejuar futjen e autobusëve grekë. Nëse ministria e Greqisë na ka prerë licencat edhe ministria jonë t'ja u ndërpresë licencat kompanive greke. Le të rrijmë edhe 1 muaj pa punë, por të zgjidhet kjo çështje”, tha Dyrmishi.
Shoqata e Transportuesve të Shqipërisë ka organizuar një protestë paraditen e sotme në sheshin ‘Nënë Tereza’, si reagim i vendimit të ministrisë greke, i cili prej ditës së sotme ka vendosur të pezullojë 22 linja autobusësh që bëjnë çdo ditë udhëtime nga Shqipëria drejt Greqisë dhe anasjelltas.
KAKAVIJË-KPSHTICË, SHOFERËT: JO HEQJES SË LICENCAVE
Në pikat kufitare të Kapshticës dhe Kakavijës, dhjetra shoferë të autobusëve të linjave me Greqinë kane protestuar duke kundërshtuar pezullimin e licencave. Ata e kane cilësuar, bllokimin e këtyre linjave të padrejte, duke kërkuar shfuqizim të këtij vendimi. Në pikën kufitare të Kakavijës 28 autobusë në shenjë demostrative janë mbledhur në këtë pikë kufitare, duke u shprehur se janë kundër detyrimit për kushtet të transportit si dhe vendimit të qeverisë greke. Ndërsa në pikën kufitare të Kapshticës, në protestë kanë marre pjesë 22 autobusë, të cilët kanë paralajmëruar përshkallëzim të protestave deri në bllokim të pikës kufitare.
VENDIMI
Më 13 shkurt 2012 ministria greke e Transportit ka ratifikuar një rezolutë për operacionet e transportit rrugor, ku u përcaktuan rregulla shtesë për vendet jo anëtare të Evropës. Vendosja e regjimit të ri me Shqipërinë u shty më pas deri më 28 shkurt të këtij viti, ndërkohë që para dy ditësh, regjimi i ri i operimit i është dërguar nga pala greke në ministrinë tonë të Transporteve për miratim. Sipas Shoqatës sonë të Transporteve, sjellja dhe aktet ligjore të autoriteteve greke janë tërësisht në kundërshtim me marrëveshjet mes dy shteteve, të cilat kanë përcaktuar se linjat dhe destinacionet do të mbeten të liberalizuara, me përjashtim të ndonjë ndryshimi që do të bëhej me konsensusin e plotë të palëve.





