Greqia do të ndërtojë një port evakuimi në ishullin e Santorinit për të garantuar sigurinë e banorëve dhe turistëve në rast të një tërmeti të fuqishëm, shkruajnë mediat greke.

Ishulli vullkanik, një nga destinacionet më të famshme në Detin Egje, është tronditur nga dhjetëra mijëra lëkundje të lehta sizmike që nga fundi i janarit.

Kjo ka sjellë shqetësim mes banorëve dhe duke detyruar autoritetet të marrin masa të menjëhershme. Shumë prej banorëve kanë braktisur ishullin nga frika e paniku i pasojave që do të sillnin lëkundjet sizmike.

Ekspertët e konsiderojnë këtë aktivitet sizmik si të pazakontë, madje edhe për një vend si Greqia, e cila ndodhet në një zonë me rrezik të lartë sizmik. Ata nuk përjashtojnë mundësinë e dridhjeve më të forta, duke identifikuar pikat më të ndjeshme të ishullit, përfshirë portin kryesor të trageteve, i cili mund të përballet me sfida serioze në një situatë emergjence.

Për këtë arsye, Ministri i Mbrojtjes Civile, Vassilis Kikilias, ka njoftuar ndërtimin e një porti të posaçëm evakuimi, i cili do të shërbejë si një pikë ankorimi e sigurt për tragetet e pasagjerëve. Ky projekt do të sigurojë një rrugë të shpejtë dhe të organizuar shpëtimi nëse lëkundjet sizmike përshkallëzohen.