Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, ka njoftuar rritjen e pagës minimale nga 830 euro në 880 euro, me synimin që deri në fund të mandatit të arrijë në 950 euro.

Sipas Mitsotakis, ulja e nivelit të papunësisë dhe politikat për krijimin e vendeve të reja të punës po japin rezultat. Në këtë kuadër, është rritur edhe asistenca sociale për të papunët, e cila do të shkojë në 540 euro.

Gjithashtu, paga për punonjësit e martuar me tre vite përvojë do të jetë 1258.4 euro, ndërsa punëtorët e pakualifikuar do të paguhen 39.4 euro në ditë.

Këto ndryshime do të hyjnë në fuqi më 1 prill dhe shënojnë rritjen e pestë të pagës minimale që nga viti 2019. Në total, paga bazë është rritur me 35.4% gjatë gjashtë viteve të fundit, duke i dhënë punëtorëve një fitim të barabartë me pesë paga minimale shtesë në vit krahasuar me 2019-ën.

Nga kjo rritje do të përfitojnë edhe emigrantët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Greqi.