Greqi, 15 mars 2014 – Greqia ka përsëritur shpresën që çështja e marrëveshjes për delimitimin e zonave detare me Shqipërinë të zgjidhet brenda mandatit të presidencës greke të Bashkimit Europian. Këtë ka theksuar ministri i jashtëm grek, Evangelos Venizelos, duke folur në një forum ndërkombëtar për energjinë në Athinë, duke shtuar se zgjidhja do të bëhet në kuadër të së drejtës ndërkombëtare dhe me të njëjtat rregulla referimi.

 “Shpresojmë që pas bisedimeve që kemi bërë me qeverinë shqiptare dhe në frymë miqësie dhe fqinjësie të mirë, marrëveshja që u nënshkrua në 2009 për delimtimin e zonave detare, shelfit kontinental dhe zonave ekonomike ekskluzive, do të ratifikohet dhe do të hyjë në fuqi, siç duam që të dy palët; gjithmonë në kuadër të së drejtës ndërkombëtare, me të njëjtat rregulla referimi dhe në kuadrin e gjerë të marrëdhënieve tona të shkëlqyera që e shpien Shqipërinë drejt anëtarësimit në BE, pas anëtarësimit në NATO”, ka theksuar Venizelos.

Shpresojmë që deri në qershor dhe gjithmonë brenda afatit kohor të presidencës greke të BE, do të kemi shansin të diskutojmë për këtë temë në këshillin e çështjeve të përgjithshme të BE dhe t’i japim Shqipërisë statusin e vendit kandidat për anëtarësim”, ka thënë më tej ai.

Ministri i jashtëm grek i është referuar edhe gazsjellësit TAP, duke theksuar se realizimi i këtij projekti ofron shansin për t’u forcuar bashkëpunimi i Greqisë me Italinë dhe Shqipërinë, dy vende me të cilat, sipas ministrit të jashtëm gek, “është i deklaruar partneriteti strategjik”.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/