HABERI PËR 10 MINIBUSË / Portali i Athinës nënvizon deklaratën e diplomatit të Ankarasë Hidajet Bajraktar-i: “Turqia e konsideron Shqipërinë një ndër vendet më të rëndësishme në Ballkan dhe me mjaft influencë në stabilitetin e rajonit. Për këtë arsye, modernizimi i FA shqiptare është një ndër prioritetet kryesore në marrëdhëniet midis dy vendeve tona”

DURRËS, 3 janar 2015 –  Edhe një dhurim simbolik sikurse janë 10 minibusë për transportimin e ushtarakëve shqiptarë nga ana e Turqisë, nuk u shpëton medieve të Athinës, që i vënë më shumë rëndësi deklaratave të Ambasadorit se sa thënieve të Ministres së Mbrojtjes. 

Sipas një njoftimi për shtyp, më 3 janar 2015, në mjediset e Ministrisë së Mbrojtjes, u zhvillua ceremonia e dorëzimit nga Republika e Turqisë të 10 minibusëve për Forcat e Armatosura të Shqipërisë. Në këtë ceremoni ishin të pranishëm Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA gjeneralmajor Jeronim Bazo, ambasadori i Republikës së Turqisë në Shqipëri Hidajet Bajraktar-i (Hidayet Bayraktar), gjeneralë, drejtorë dhe ushtarakë të tjerë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të FA. 

Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli në fjalën e saj theksoi: 

“Është kënaqësi e veçantë për mua që gjendem së bashku me ju për të vënë në jetë realizimin e ndihmës së qeverisë dhe Forcave të Armatosura turke për modernizimin e Forcave tona të Armatosura. Që në bisedat e para me kolegët turq, kemi menduar gjatë për mënyrat më të mira të shfrytëzimit të ndihmës së përvitshme. Një fond i akumuluar për shkak të mosshfrytëzimit disavjeçar, na bëri të mundur krijimin e një pakete më efektive për ta vënë në dispozicion të nevojave tona. E gjithë procedura e mëtejshme u ndoq në përputhje jo vetëm me nevojat e Forcave tona të Armatosura, por dhe në transparencë të plotë me homologët tanë turq. Këto automjete që kanë mbërritur sot, janë pjesa e parë e një pakete të konsiderueshme mjetesh transporti të cilat do të vihen në dispozicion të Forcave të Armatosura gjatë vitit 2015. Po rikthejmë gradualisht dinjitetin e njerëzve në uniformë. Edhe transporti për në vendin e punës është pjesë e respektimit të sakrificës që ju të nderuar ushtarake bëni çdo ditë.

Një falënderim të veçantë bëri për drejtuesit e mjeteve që i sollën nga Turqia në Tiranë gjatë këtyre ditëve vërtet të ftohta dhe problematike për rrugët e Ballkanit. Njëkohësisht, falënderoj qeverinë dhe FA të Turqisë për mbështetjen e pakursyer ofruar deri më tani, sidomos në kuadër të trajnimeve, edukimit apo edhe pajisjeve, ndërkohë që siguroi që ne do t’i përligjim më së miri këto investime dhe do të vijojmë më tej bashkëpunimin në të ardhmen”.

Të pranishmit në ceremoni i përshëndeti edhe ambasadori i Turqisë, Hidajet Bajraktar-i, i cili, ndër të tjera, theksoi: 

“Turqia e konsideron Shqipërinë një ndër vendet më të rëndësishme në Ballkan dhe me mjaft influencë në stabilitetin e rajonit. Për këtë arsye, modernizimi i FA shqiptare është një ndër prioritetet kryesore në marrëdhëniet midis dy vendeve tona”.

Më pas, ministrja Mimi Kodheli e shoqëruar nga gjeneralmajor Bazo dhe ambasadori Hidajet Bajraktar-i vizituan nga afër minibusët e dhuruara nga Republika e Turqisë për FA shqiptare. 

Janë 10 minibusë të prodhuar nga kompania e njohur e prodhimeve ushtarake të Turqisë, “Otokar”, të cilat do të shërbejnë për transportimin e ushtarakëve në njësitë dhe repartet e tyre. Këta minibusë janë pjesa e parë e një pakete të konsiderueshme mjetesh transporti, të cilat do të vihen në dispozicion të Forcave të Armatosura gjatë vitit 2015.

REAGIMI I ATHINËS

Është interesante që shtypi grek ka botuar me shpejtësi këtë lajm, që duket në pamje të parë, si “haber” me peshë të lehtë. Por nuk mendon kështu portali “newsbomb.gr” që citon ambasadorin turk në Tiranë Hidajet Bajraktar-i: “Autoritetet ushtarake të të dy vendeve kanë bashkëpunim të ngushtë, jo vetëm ndërmjet vendeve, por edhe brenda NATO-s (kjo frazë nuk ndodhet në njoftimin e Ministrisë shqiptare të Mbrojtjes! – “Dyrrah”). Turqia e konsideron Shqipërinë një ndër vendet më të rëndësishme në Ballkan dhe me mjaft influencë në stabilitetin e rajonit. Për këtë arsye, modernizimi i FA shqiptare është një ndër prioritetet kryesore në marrëdhëniet midis dy vendeve tona”.

Madje, portali grek shton edhe një frazë që nuk gjendet në njoftimin zyrtar: 

“Sipas ambasadorit [Bajraktar-i], bashkëpunimi mes dy vendeve do të vazhdojë të rritet në të gjitha fushat”.  

Nuk është e qartë nëse shtesat e “newsbomb.gr” janë sajime apo të vërteta.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/