16 shkurt 2015 – Këngëtarja Greta Koçi është përfshirë në një aksident rrugor mesditën e së dielës në aksin Vorë – Fushë Krujë. Nënkryetarja e Forumit Rinor të Partisë Demokratike ka qenë në makinë me disa aktivistë të tjerë të këtij forumi, teksa i drejtoheshin jugut të vendit me ndihma për familjet e përmbytura. Aksidenti ka ndodhur në aksin Vorë – Fushë Krujë, ku një makinë tjetër i ka prerë rrugën. Drejtuesi i mjetit e ka shmangur dhe është përplasur me një kamion të parkuar në rrugë.
Greta Koçi dhe dy të rinjtë FRPD- së të përfshirë në aksident, kanë marrë ndihmën e parën në Spitalin e Traumës, ndërsa mësohet se ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Ajo është e tronditur, por gjendja e saj shëndetësore duket të jetë e mirë. Këngëtarja Greta Koçi nga përplasja ka pësuar dëmtime në kokë dhe në mjekër. Policia nisi hetimet për zbardhjen e shkaqeve të këtij aksidenti me tre të lënduar.





