Mbi 90 seanca gjyqësore të planifikuara në ditë, po shtyhen në gjykatën e rrethit Durrës, si pasojë e grevës tre ditore së avokatëve. Përveç masave të sigurisë të cilat nuk janë bojkotuar, seancat gjyqësore janë zhvilluar vetëm në rastet kur paditësi ka kërkuar ta zhvillojë gjyqin pa avokat mbrojtës.

Të shumta kanë qenë edhe ankesat e qytetarëve të cilët janë të ndërgjegjshëm për grevën e avokatëve, por që kërkojnë të zhvillohen seancat gjyqësore, për të mos pasur zvarritje në gjykatë. 17 gjyqtarët e gjykatës së Shkallës së Parë të rrethit Durrës, mesatarisht zhvillonin nga 5 deri në 7 seanca gjyqësore në ditë, me ngarkesë të plotë. Ata janë paraqitur në seanca, por seancat janë shtyrë.  

 Pjesa më e madhe e seancave u përkasin çështjeve të konflikteve të pronësisë, të ndërtimeve pa leje , lidhjes së energjisë elektrike në mënyrë të paligjshme, konflikteve midis komshinjve etj.

Seancat gjyqësore janë bojkotuar edhe në gjykatën Administrative dhe atë të Apelit në Durrës, ku janë shtyrë mbi 100 seanca të tjera gjyqësore. Avokatët e Durrësit kërkojnë ndryshimin e ligjit të miratuar nga qeveria për sigurimet shoqërore e shëndetësore, në të kundërt paralajmërojnë përshkallëzim të protestave pa fat.

K.H.