Tiranë, 25 maj 2014 – Greva e urisë në çadrat pranë Kryeministrisë ka hyrë në ditën e saj të pestë. Aktualisht, në çadrat e vendosura në lulishten para Piramidës gjenden 12 grevistë, ndërsa 2 të tjerë janë shoqëruar për në spital për shkak të problemeve me shëndetin.

Ata janë Astrit Lika, ish-punonjës i mirëmbajtjes në Institutin e Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor dhe Mahir Reçi, ish-punonjës i Ndërmarrjes së Studentëve. 2 grevistët po marrin ndihmën mjekësore në spital, por kanë deklaruar se do t’i rikthehen sërish grevës së urisë.

Ndërkaq, 2 grevistë të tjerë janë larguar përfundimisht për shkak të gjendjes së keqe shëndetësore. Ata janë Gladiola Bardhoshi, ish-punonjëse e shërbimit social në Ndërmarrjen e Konvikteve dhe Ludovik Berisha, ish-punonjës i zjarrfikëses në Berat.

Mjekët që asistojnë grevën thonë se gjendja e 12 grevistëve të mbetur është po ashtu e rënduar për shkak të problemeve me tensionin dhe respirimin

Gjatë ditës së sotme pranë grevistëve ka qenë deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, i cili e cilësoi grevën njerëzore dhe aspak politike, ndërsa e quajti të papranueshëm faktin që nga kryeministria nuk ka asnjë reagim.

Pranë çadrave të grevës qëndrojnë mjaft mbështetës dhe familjarë të cilët kanë takuar grevistët.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/