Grevat 24-orëshe në Greqi kanë ndikuar edhe në vendin tonë teksa bëhet me dije se janë anulluar 6 fluturime. Sipas të dhënave nga aeroporti ndërkombëtar i Tiranës bëhet fjalë për 3 fluturime të anulluara nga Tirana drejt Athinës dhe 3 nga kryeqyteti grek drejt Tiranës.
Aeroporti “Nënë Tereza” në një deklaratë për pasagjerët u ka bërë thirrje pasagjerëve të kontaktojnë kompaninë ajrore përkatëse për më shumë informacion mbi riorganizimin e udhëtimit dhe mundësitë e rimbursimit apo ri-programimit të biletave.
Qendra e Athinës është mbyllur për shkak të protestave të vazhdueshme të Konfederatës së Përgjithshme të Sektorit privat (GSEE) dhe ajo e administratës shtetërore (ADEDY). Këto protesta janë duke u zhvilluar në kuadër të grevës së përgjithshme 24-orëshe.
Në këtë grevë federata, sindikata dhe shoqata nga sektori privat dhe publik kërkojnë ndër të tjera rritje pagash, Marrëveshje Kolektive të Punës, rikthimin e pagave 13 dhe 14 në Sektorin Publik dhe masa për të përballuar përpikmërinë dhe krizën e strehimit. Nga protesta është paralizuar gjithë vendi pasi asnjë transport nuk është në funksion.