Dy prej linjave ajrore më të mëdha të Europës janë prekur nga greva, duke lënë në tokë qindra fluturime e duke prekur kështu me mijëra udhëtarë. Të prekur në këtë mes janë edhe shqiptarët, pasi në Aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” të Rinasit ishte parashikuar ardhja e një avioni nga Frankurti në Tiranë në orën 13:10, e më pas nisja e tij për kthim në Frankfurt në orën 13:50.

“Lufthansa” është detyruar të anulojë 800 nga 1.600 fluturimet e planifikuara për shkak të grevës së punonjësve të sektorit publik. Ndërprerja e funksioneve është në fuqi në aeroportet e Frankfurtit, Mynihut, Këlnit dhe Bremenit.

Edhe “Air France” ka anuluar një prej 4 fluturimeve të saj, pasi ekuipazhet e kësaj kompanie morën pjesë në grevë, në mbështetje të pretendimeve për rritjen me 6% të pagave.

“Lufthansa” tha se rreth 90 mijë pasagjerë janë prekur nga greva e sektorit publik gjerman, që gjithsesi nuk përfshin medoemos edhe stafin e linjës ajrore. Kompania gjermane u tha pasagjerëve, fluturimet e të cilëve nuk janë anuluar, që të pranojnë vonesat në fluturime apo të paraqiten më herët nëpër aeroporte.

Greva pritet të vazhdojë edhe gjatë së mërkurës, ndërsa të tilla situata janë planifikuar edhe për të paktën 4 ditë të tjera brenda këtij muaji.