GREQI-Sektori publik në Greqi do të jetë i paralizuar sot për shkak të grevës 24 orëshe që ka shpallur sindikata e këtij sektori (ADEDY), kundër vendimit të qeverisë për kalimin në dispozicion të një numri të madh punonjësish. Në grevë do të marrë pjesë edhe konfederata e përgjithshme sindikale (GSEE), me ndërprerje 3 orëshe të punës nga ora 12:00-15:00. 

Në një konferencë për shtyp drejtuesit e ADEDY shprehën shqetësimin se me zbatimin e kësaj mase, vitet e ardhshme do të pushohen nga puna mijëra punonjës të sektorit publik. 

Metroja dhe treni elektrik do ta nisin punën në ora 09:00, ndërsa gjithë sektori i transportit publik do të kalojë në grevë 24 orëshe nesër. 

Në grevën e sotme marrin pjesë edhe punonjësit e pushtetit lokal, çka do të thotë se bashkitë dhe komunat do të jenë të mbyllura. 

Të mërkurën dhe të enjten ka grevë ndërmarrja e hekurudhave (OSE), dhe për këtë arsye do të ndikohet edhe linja e metrosë e aeroportit, përderisa itinerari do të përfundojë në stacionin Dukisas Plakentias. 

Anullime dhe ndryshime fluturimesh do të bëhen edhe nga Olympic Air, për shkak të ndërprerjes së punës nga punonjësit e shërbimit ajror, nga ora 12:00 deri në 16:00. 
Spitalet do të funksionojnë vetëm me personel emergjence, duke trajtuar vetëm rastet urgjente. 

Duhet kujtuar se Memorandumi i masave i miratuar nga qeveria dhe Parlamenti përfshin dnër të tjera, largimin këtë vit nga administrata publike të 5000 punonjësve dhe 20 000 të tjerë në vitin 2013 (në total 25 000 nëpunës të administratës civile). .