Shumica e punonjësve të administratës publike në nivelin lokal dhe atë qendror në Kosovë, u hodhën në grevë njëorëshe të martën duke kërkuar nga qeveria ndryshimin e ligjit për pagat, përkatësisht nivelizimin e pagave me sektorë të tjerë publikë.

Një nga kryesuesit e këshillit grevist, Ali Sefaj, tha se shërbyesit civilë nuk janë trajtuar në mënyrë të barabartë në ligjin për pagat.

“Ne presim që sot apo nesër qeveria të reflektojë e ta ofrojë dokumentin zyrtar, ne jemi që t’u shërbejmë qytetarëve mirëpo ky ligj bëhet për dhjetë vite. Ne nuk po kërkojmë paga ne po kërkojmë koeficientë që të kemi tretman të dinjitetshëm sot për dhjetë vitet tutje”, theksoi ai.

Zoti Sefaj tha që nëse qeveria nuk i merr parasysh kërkesat e tyre, greva do të zgjatet në kohë çdo ditë e më shumë duke filluar nga nesër.

Në anën tjetër, qytetarët shprehen të mllefosur me pamundësinë për të kryer shërbimet për të cilat kanë nevojë gjatë orarit të grevës. Maliq Avdyli, i cili kishte ardhur nga qyteti i Prizrenit në Agjencinë për Regjistrim Civil në Prishtinë, për të rregulluar një dokument, tha se ky është keqtrajtim i qytetarëve.

Janë në grevë por detyrat duhet t’i kryejë çdokush, edhe duke punuar mund të bëhet greva e nuk bëhet greva për t’i maltretuar njerëzit, gjithsesi duhet të kryhet shërbimi. Ne po e dimë që janë në grevë e po e dimë që nuk janë të kënaqur shumica por puna duhet të kryhet. Në rast se nuk kryhet sot duhet të vijmë nesër, nesër vazhdon kjo kështu që nuk është zgjidhje”.

Ligji për pagat i cili është në fazën e shqyrtimit parlamentar, ka ngjallur pakënaqësi të shumta të punonjësve në sektorë të ndryshëm të cilët thonë se nuk janë trajtuar si duhet në këtë ligj.

Në grevë vazhdojnë të jenë për javën e tretë me radhë edhe punonjësit e shkollave fillore, të mesme dhe universitetet publike të Kosovës, të cilët kërkojnë nga qeveria që të ndryshohet ligji duke rritur normën e pagesës për të gjithë punonjësit e sistemit arsimor publik.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në vazhdimësi ka kërkuar ndërprerjen e grevës në arsim duke cituar ofertën e tij për rreth 20 milionë euro në vit më shumë për pagat në këtë fushë, por një ofertë e tillë nuk është pranuar nga punonjësit e këtij sektori.

Me 31 janar pritet që ky ligji të diskutohet në parlament për miratim, por ekspertë të çështjeve të arsimit kanë bërë thirrje që ligji të tërhiqet dhe rishikohet./VOA