Tiranë, 23 maj 2014 – Pas dërgimit në spital të njërës prej grevisteve e cila kishte shfaqur shqetësime në stomak, grevistët janë vizituar nga kreu i PD-së Lulzim Basha. Ai akuzoi qeverinë se po tregohet e shurdhër dhe e pa shpirt ndaj personave të futur në grevë. Ai theksoi se greva nuk është politike por se veç deputetëve të opozitës asnjë zyrtar i qeverisë nuk është interesuar se ccfarë ndodh 30 metro larg dritares së Kryeministrisë.

“Ajo që na shqetëson jo vetëm pashpirtësia që është materializuar në sjelljen e paligjshme të Edi Ramës karshi këtyre burrave dhe grave por edhe vazhdimi i kësaj pashpirtësie.Është pashpirtësi e Edi Ramës ndaj 8000 qytetarëve. Asnjë zyrtar i vetëm nuk ka treguar asnjë shenjë njerëzillëku për tu interesuar se çfarë po ndodh 30 metra larg dritares së kryeministrisë. Është një grevë njerëzore jo politike. Dua ta mbyll këtë vëzhgim se përtej mosndjeshmërisë është edhe përpjekja për të turrur ca zorraxhinj mediatik për ta përbaltur këtë grevë. Zorraxhinj me qira do ketë gjithmonë”,– u shpreh Basha.

Të larguarit nga administrata vijojnë prej tre ditësh grevën e urisë në 4 tendat e vendosura pranë selisë së Kryeministrisë, në lulishten përballë Piramidës. Dhjetë grevistët e parë, pjesë e shoqatës së të larguarve nga puna, janë gdhirë prej tre ditësh në çadra, ndërsa grevës i janë shtuar edhe 6 persona të tjerë. 

Të larguarit nga puna, pjesë e grevës së urisë, kanë parashtruar pesë kërkesat e tyre ndaj qeverisë. Ata kërkojnë që të zbatohen vendimet e gjykatës për t'u rikthyer në punë, vendime për të cilat ata pretendojnë se nuk janë zbatuar ende. Grevistët kërkojnë të bëhet transparenca e numrit të të shkarkuarve nga puna dhe marrjen e përgjegjësive për trajtimin e legjislacionit të administratës. 

Ndërkohë Autoriteti Shëndetësor ka vënë në dispozicion të grevës një ekip mjekësor, ndërsa një ambulancë vijon të qëndrojë pranë grevistëve. Dy mjekë kanë kryer kontrolle sa i takon gjendjes shëndetësore të grevistëve.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/