Në një deklaratë për mediat, ish-deputetja Grida Duma ka denoncuar qeverinë ‘Rama”, ndërsa është shprehur se kjo qeveri është më e korruptuar.

“Në ditët e fundit të saj qeverisja e Edi Ramës mund të përkufizohet me fare pak fjalë. Ajo është qeveria më e korruptuar e tre dekadave të fundit në Shqipëri. Gjatë drejtimit të vendit nga Edi Rama jo vetëm 1 në 3 tendera është dhënë pa garë, jo vetëm kontratat koncesionare prej miliona eurosh mbahen të fshehta por dhe tenderat e Edi Ramës për miqtë dhe klientët janë konsideruar sekret shtetëror”, u shpreh Duma.

Më tej, ajo ka shtuar se “BIRN ka zbuluar se kur erdhi në pushtet qeveria e Ramës ka klasifikuar si sekret shtetëror plot 216 tendera me vlerë qindra miliona euro. Fare pak prej tyre janë të tillë dhe mund të klasifikohen si sekret, kështu për shembull mund të ishin ato të Shërbimit Informativ apo Prokurorisë”.

“Pjesë e klasifikimit të kontratave publike si sekret është dhe ARRSH i cili refuzon të japë të dhëna. E njëjta agjenci që miratoi projektin e unazës së re ku një kilometë kushton 20 mln euro. Është skandaloze që tenderët për rrugën, mirëmbajtjen klasifikohen sekret shtetëror, fsheh abuzimet. Klasifikimi si sekret shtetëror i qindra kontratave publike është cenim i hapur i konkurrencës. Është vjedhje, është korrupsion. Kjo është arsyeja pse Rama hesht. Kush ka vjedhur të jetë i sigurt se do mbajë përgjegjësi penale”, u shpreh ajo.