Reforma zgjedhore dhe tri kushtet e vendosura nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, para dy ditësh, nuk u pritën mirë nga ana e socialistëve ku i cilësuan si të tepruara kushtet e këtij të fundit.

Por sipas deputetes së Partisë Demokratike, Grida Duma këto kushte nuk duhen parë si ngërç pasi në vetvete janë bazament. E ftuar në një studio televizive, gjatë ditës së djeshme, Duma deklaroi se reforma zgjedhore dhe votimi elektronik nuk lidhet me PD-në, por me vullnetin e shqiptarëve.

Nuk janë kushte dhe kushtet t’i lexojmë si ngërç, janë bazament. Kjo nuk duhet parë si ngërç. Ne kemi votimin elektronik, e cila nuk ka pasur ndonjë kundërshtim përveç kohës. Kjo nuk lidhet me PD, por me atë që është koka e problemit, sot vullneti i shqiptarëve është devijuar. Ne sot kemi arsye që ndoshta po qeverismi nga një grup që nuk përfaqëson vullnetin e shqiptarëve”, tha Duma.

Ndërkaq, Duma shpjegoi edhe se si do të procedohet me reformën zgjedhore ku sipas saj PD-ja po kërkon ngritjen e një komisioni të posaçëm që do të merret vetëm me reformën. “Kërkojmë ngritjen e një komisioni ‘Ad Hoc’ që ka fokus reformën zgjedhore. Nuk ka gjë të paditur, opozita e ka pasur kryefjalë këtë gjë. Komisioni ka në fokus reformën, ne kemi dhënë një element konkret; votimi elektronik. Politikisht do të ulemi në tryezë dhe do të diskutojmë draftin dhe nga shumica do të kenë propozimet e tyre”, u shpreh Duma.

Madje, ajo ritheksoi se me aplikimin e procesit të votimit elektronik do të zgjidhen dhe disa probleme si ajo e dorëzimit të kartave të ID gjatë procesit të votimit apo dhe fotografimi i votës. “Votim elektronik zgjidh një pjesë të problemit, marrjen e kartave të ID. Duke mos pasur nevojë për kartën, do të ishte e lehtë për votuesin. Tjetra, fotografimi i votës, kjo gjë mund të evitohet .Plot elementë të tjerë me komisionerët, edhe këto evitohen në një farë mënyrë. Por edhe ai që mund ta ketë dhënë fjalën, është ndryshe presioni dhe në fund zhduk edhe numërimi”, u shpreh deputetja Grida Duma.