24 qershor 2015 – Grida Duma, në një deklaratë për mediat ka pranuar humbjen në garën me Vangjush Dakon për Bashkinë e madhe të Durrësit, e që sipas saj kjo vjen si pasojë e presionit shtetëror.
“E njoh humbjen si realitet, por që vjen si pasojë e presionit shtetëror. Kur e nisa garën nuk e mendova për të marrë pushtetin, por si një mision për të çliruar qytetin ”, shprehet Duma.
Kandidatja humbëse theksoi se nuk është fundi i asgjëje dhe zgjodhi të mos e urojë Vangjush Dakon si fitues të kësaj gare, pasi sipas saj ky nuk është rasti i urimit të fitores siç mund të ndodhë në plot raste të tjera.
“Do jemi bashkë të gjithë për të përballuar çdo betejë për të rindërtuar standardin e vlerave reale, të një qytetarie mijëra vjeçare. Nuk është fundi i asgjëje, po fillimi i një beteje që do ta kemi bashkë. Nuk është rasti i urimit të fitores, si në plot raste të tjera, sepse nuk ka rast të ngjashëm në këtë përmasë me atë që ndodhi në bashkinë e Durrësit. Ky është qëndrim i imi”, është shprehur Grida Duma.
/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





