Sekretarja e Marrëdhënieve me Publikun, Grida Duma është ndalur tek tregtarët që ndodhen te Rruga e Barrikadave në njësinë nr 9 në Tiranë për të biseduar mbi vështirësitë e biznesit të vogël, taksat e rritura të Bashkisë dhe tarifat e reja që ajo ka vendosur.
Sipas tregtarëve, është bërë e pamundur që ta mbajnë hapur dyqanin dhe apelojnë për ndryshim. Shumë prej tyre ndodhen në kushtet e mbijetesës e shumë të tjerë vuajnë edhe arbitraritetin e qeverisjes.
“Na ngacmojnë e vijnë na gjobisin. Më gjobitën 500 mijë lekë para një jave kot më kot. Punojmë për copën e bukës dhe tjetri të gjobit. Më tha që të kaloi një klient pa kupton tatimor. I thashë ma sill klientin këtu. Nuk e solli dhe më vendosi gjobën. Biznesi duhet lënë të punojë. Unë dua të flas, të bëjnë ç’të duan”, tha një bukëpjekëse.
Tregtarët thonë se dhjetëfishimi i taksave është i papërballueshëm në kushtet ekonomike me të cilat ata përjetojnë. “Taksa nga 15 mijë do e bëjnë 150 mijë. Nga 1500 do e bëjnë 15 mijë. Është 10-fishim. Nuk ia dalim dot. Do falimentojmë. Puna dihet që ka rënë dhe këtë thonë të gjithë”, tha një shitës ushqimoreje.
Duma u shpreh se ata do të ketë mbështetjen e plotë të Partisë Demokratike për të ndalur rritjen e taksave dhe arbitraritetit të qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës, për t’i lehtësuar e stimuluar ata që të rriten e të krijojnë vende pune.





