16 qershor 2015 – Gara e Durrësit është cilësuar një ndër më të fortat për 21 qershorin. Të dy kandidatët po bëjnë fushatë intensive, me synim të fitojnë Bashkinë e madhe të Durrësit.

Për herë të parë, sot në mbrëmje, në Top Show, kryebashkiaku aktual, Vangjush Dako i PS-së dhe kandidatja e djathtë, Grida Duma, do të përballen sot live mes tyre. Pas disa tërheqjesh që Dako u ka bërë ftesave për debat, ai ka qenë dakord që në orën 22:00 të jetë përballë Dumës, në emsionin e Alban Dudushit.

Pritet me interes ky debat, i pari dhe i fundit për zgjedhjet vendore të 21 qershorit. Në deklarata dhe intervista të njëanshme që kanë dhënë kandidatët kanë sulmuar njëri-tjetrin.

Grida Duma ka në qendër të sulmit politik për rivalin e saj, faktin e betonizimit të Durrësit dhe humbjen e vlerave arkeologjike të qytetit. Ndërsa për Vangjush Dakon, Duma nuk e njeh qytetin dhe “problemi i saj është se flet shumë”. Gjithçka konkrete mbi sfidat që i kanë vënë vetes para elektoratit, do të zbulohet sot në mbrëmje.

 

 

 

 

 

 

Agjencia e lajmeve “Dyrrah”