21 qershor 2015 – Kandidatja demokrate për Durrësin, Grida Duma e shoqëruar nga bashkëshorti i saj Ilir Shqina, i është drejtuar sot qendrës së votimit për të hedhur dhe votat e tyre.
Duke e cilësuar 21 qershorin si ditë të bukur, Duma tha para gazetarëve se sot durrsakët kanë arsye më tepër për të marrë pjesë masivisht në votime.
Gjithashtu, gjatë fjalës së saj demokratja tha se janë vënë re parregullsi në procesin e votimit.
“Ka influencë mbi votën në zonën e Plazhit dhe po ashtu në zonën e Nishtullës. Ka informacione kudo që ka probleme, por jemi duke reaguar me shpejtësi duke mbrojtur vullnetin e zgjedhësve.
Ne jemi absolutisht me votimin me standard. Do të shkojmë me standardin e qetësisë. Tashmë jemi në procesin që dihet që kanë disa lista që u janë shpërndarë të gjithë komisionerëve dhe ata kanë të qartë se kush janë individët që nuk duhet të votojnë dhe do të ndiqen nga drejtësia nëse ata do të votojnë”.
E pyetur nga gazetarët nëse kanë votuar persona të tillë deri tani, Grida Duma deklaroi se kanë votuar dhe janë konfirmuar me emra, foto dhe çdo gjë tjetër. Sipas demokrates, deri në këto momente janë raportuar që ka 17 qendra që konfirmojnë që ka pasur familje që kanë votuar.
/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/