24 prill 2015 – Dy kandidatët për Bashkinë e Durrësit, Grida Duma e Vangjush Dako, janë parë për herë të parë në publik, ndonëse njëri pas tjetrit. Fillimisht kreu aktual i bashkisë, socialisti Dako, ka kryer homazhe në teatrin “Aleksandër Moisiu” në nder të kompozitorit që ndërroi jetë në moshën 69-vjeçare, Agron Xhunga. Bashkë me Dakon ishte dhe prefekti i Durrësit, Roland Xhelilaj.
Pas kandidatit socalist ka mbërritur ajo demokrate, Grida Duma, e cila shoqërohej nga kreu i PD-së së Durrësit, Osman Stafa. Ndonëse koha e mbërritjes së saj nuk ka qenë në distancë me rivalin Dako, gjithsesi ata nuk janë takuar mes tyre.
Ndonëse prej gati 1 jave u konfirmua emri i Grida Dumës si kandidate e së djathtës për Durrësin, nuk ka pasur deri tani asnjë përballje mes saj dhe Dakos, qoftë dhe rastësore, siç mund të ishte ceremonia e sotme në nder të Xhungës.
Agjencia e lajmeve “Dyrrah”