19 nëntor 2015 – Teuta e Gugash Maganit vazhdon të funksionojë. Në stadiumin Reshit Rusi të Shkodrës falë suksesit 0-1 ndaj Vllaznisë durrsakët regjistruan fitoren 6-të në 11 javë kampionat duke u konfirmuar si surpriza më e bukur e këtij sezoni në kategorinë Superiore. Gugash Magani vlerësoi suksesin e djemëve të tij por ndërkohë nënvizoi se Teuta ka ende për t'u përmirësuar.

"Unë mendoj se sot kishim një ndeshje shumë të vështirë, luanim përballë një skuadre që luante për herë të parë përpara publikut të saj. E kishim përgatitur mirë këtë ndeshje, dhe të fitoje sot përballë Vllaznisë nuk ishte aspak e lehtë. Besoj se kemi arritur një rezultat shumë të rëndësishëm. Duhet të përmirësohemi disi përpara portës sepse gabojmë shumë raste. Ky është një aspekt që do të punojmë për ta rregulluar".

I zhgënjyer u shfaq trajneri i përkohshëm i Vllaznisë, Armir Grima, i cili theksoi se pret më shumë nga lojtarët me eksperiencë që ka aktualisht në dispozicion Vllaznia. "Faktikisht kjo është reale, ne presim që lojtarët me provojë të marrin ekipin për dore, por sot u mundëm nga disa djem të rinj që mundohen të bëjnë më të mirën sa herë zbresin në fushë. Futbollistët me eksperiencë duhet të bëjnë më shumë që skuadra jonë tu kthehet rezultateve pozitive".

Vendi i fundit në kampionat nuk i shkon aspak përshtat një emri të madh si Vllaznia, sipas Grimës ajo cka i mungon shkodranëve është një sponsor dhe mbi të gjitha një president. "Kjo është fatkeqësia e Vllaznisë, klubi ynë duhet të ketë një president që kjo fanellë të mos bëhet kaq e lehtë dhe ta veshë çdo futbollist. Na mungon një sponsor dhe mbi të gjitha një president".

Ish-portieri i Vllaznisë nuk preferoi të komente për estradën që ndodhi në Pukë mes Tërbunit dhe Bylisit, që janë dy rivalët direktë të Vllaznisë në garën për mbijetesë.

/portali DurresLajm/