Tiranë, 1 mars 2014 – Shkon në 36 numri i të prekurve me virusin AH1 të njohur si gripi i derrit. Ndërkohë po kaq të tjerë janë të prekur nga gripi amerikan. Komiteti Ad-Hoc për Përgjigjen ndaj Gripit, i drejtuar nga Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ka konkluduar se Shqipëria vazhdon të përjetojë një gjendje me intensitet mesatar të qarkullimit të virusit të gripit dhe me prirje rritëse.

Prej javës së 3-të të muajit Tetorit 2013 deri më datën 28 Shkurt 2014 janë dërguar në ISHP 476 mostra nga persona të dyshuar për grip. Gjithsej, 72 (15%) mostra kanë rezultuar pozitive me viruset e Gripit. 36 (50%) prej mostrave pozitive kanë rezultuar me virusin A(H3) dhe 36 (50%) e mostrave pozitive me virusin A(H1)pdm09. Ndërkohë, numri i rasteve me SRRS (Sindromë të Rëndë Respiratore Akute) rezulton të jenë 134, prej të cilëve, 3 janë me A(H1) dhe 7 me A(H3).

Ndërkohë, komiteti kërkoi intensifikimin e komunikimit me mjekët lidhur me udhëzimet më të fundit për përdorimin e barnave antiviralë, dhe ngarkoi ISHP-në dhe specialistët e shërbimeve përkatëse të vazhdojnë më tej informimin në vijimësi të publikut për masat parandaluese dhe mbrojtëse ndaj gripit sezonal, veçanërisht: të moshuarit, të sëmurët kronikë dhe fëmijët.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/