Epidemia e gripit të shpendëve (H5N1) ka ndikuar në rritjen e çmimit të vezëve në treg. Nga dita e sotme, ky produkt kushton 5 lekë më shumë tek fermerët dhe rreth 10 lekë më shumë për konsumatorët.
Si ka ndikuar gripi i shpendëve?
Përhapja e virusit ka qenë më agresive në stabilimentet e pularive sesa në fermat e fshatarëve. Për pasojë, janë asgjësuar 430 mijë pula, duke sjellë ndikim të drejtpërdrejtë në treg. Megjithatë, sipas ekspertëve të bujqësisë, kjo rritje çmimi është abuzive.
A ka mungesë vezësh në treg?
Eksperti i bujqësisë, Ndoc Fasllia, thekson se Shqipëria ka rreth 7 milionë pula, nga të cilat 5 milionë janë për prodhim vezësh. Ai vlerëson se mungesa e konkurrencës dhe dominimi i disa kompanive në import-eksport ka ndikuar në manipulimin e çmimeve.
“Nëse situata përkeqësohet, Ministria e Bujqësisë duhet të ndërhyjë për të zbutur koston e prodhimit dhe për të zëvendësuar shpendët e asgjësuar, por aktualisht nuk jemi në këtë fazë, pasi dëmi është i vogël,” shton Fasllia.
Kjo nuk është hera e parë që gripi i shpendëve ndikon në çmimin e vezëve. Në vitin 2022, u asgjësuan rreth 500 mijë pula dhe çmimi i vezës në treg arriti në 30 lekë, ndërsa veza e fshatit kushtonte deri në 50 lekë.
Pavarësisht ndikimit të virusit, tregu nuk ka shfaqur mungesë të këtij produkti deri më tani, por çmimet e larta mbeten një shqetësim për konsumatorët.