Zv.ministrja e Bujqësisë, Ermira Gjeçi tha se në tre bashkitë ku tashmë është konfirmuar Gripi i Shpendëve do të ketë kontrolle për të penguar tregtimin e shpendëve.
“Policia e shtetit, prefektët dhe kryetarët e bashkive janë në komunikim të ngushtë me ne për të ndaluar çdo tregtim të paligjshëm”.
Gjeçi shtoi se nuk ka asnjë rrezik si për mishin dhe vezët, që blihen në pikat e licensuara. Nëse gatuhen në temperatura më të larta se 70 gradë Celsius, nuk ka asnjë rrezik.
AKU njoftoi një ditë më parë se ka bërë kontrolle të vazhdueshme të produkteve në tregjet shqiptare pas shfaqjes të gripit të shpendëve në vende të ndryshme të Europës dhe më pas në Shqipëri.
Rreth 340 mijë pula kanë ngordhur deri tani, ndërsa janë 120 mijë pula të infektuara që pritet të asgjësohen, ndërkohë që sëmundja është konfirmuar në Durrës, Divjakë, Dibër dhe në zonën e Prespës.
Në disa prej zonave të infektuara rregullat e karantinës janë shkelur e vijojnë të shkelen, ndërsa është raportuar se procesi i groposjes po vijon nuk është konform standardeve të kërkuara për të siguruar izolim të virusit.
Sëmundja infektive, influenca aviare rezulton të jetë përhapur gjerësisht dhe në fshatrat përreth stabilimenteve, ku fshatarët blejnë zakonisht zogj për mbarështim në oborret e tyre.
Durrësi është më i prekuri, ku në pak ditë kanë ngordhur mijëra pula. Një familjeje në Divjakë i ngordhën brenda natës 60 pula. Në zonën e Prespës janë gjetur tre pelikanë kaçurrel të ngordhur në liqen.