Më 13 qershor, Rafael Grossi, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), shprehu shqetësimet për termocentralin bërthamor të Zaporizhjas në Ukrainën jugore, duke përmendur “një situatë relativisht të rrezikshme”.
Kjo situatë është krijuar për shkak të dy faktorëve: thyerjes së digës Kahovka dhe fillimit të një kundërofensivë të Ukrainës. Grossi shprehu këto shqetësime në Kiev në një konferencë për media, pas takimit të tij me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy, pak para nisjes për në termocentralin bërthamor.
“Jam shumë i shqetësuar. Afër uzinës ka luftime aktive”, tha Grossi.
Sipas Grossit, ky zhvillim rrit gjasat që termocentrali bërthamor i Zaporizhjas të jetë në shënjestër. Ai theksoi më tej se Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) po përpiqet në mënyrë aktive të maksimizojë praninë dhe ndikimin e saj për të parandaluar një aksident bërthamor.
Thyerja e digës që ndodhet në rrjedhën e poshtme të uzinës ka rezultuar në një ulje të furnizimit me ujë brenda një rezervuari. Ky rezervuar është thelbësor për rimbushjen e një pellgu të përdorur nga uzina për të parandaluar mbinxehjen e gjashtë reaktorëve të tij.
Autoritetet bërthamore ukrainase kanë deklaruar se për shkak të rënies së nivelit të ujit në rezervuar, nuk është më në gjendje të rimbushet pellgu.
Megjithatë, ata kanë përmendur se pellgu mund të rimbushet ende duke përdorur puse të thella nëntokësore, siç konfirmohet nga Enerhoatom, kompania e energjisë bërthamore e Ukrainës, më 13 qershor. Enerhoatom siguroi se niveli aktual i ujit në pellg mbetet i qëndrueshëm dhe është i mjaftueshëm për të përmbushur kërkesat e termocentralit.
Grossi pranoi se megjithëse nuk ka asnjë rrezik të afërt, situata ende konsiderohet e rëndë.
Ai tha se vizita e tij në objekt, i cili është termocentrali më i madh bërthamor në Evropë, do të ofronte një vlerësim më të saktë të rrezikut dhe do të lejonte ekipin e tij të fitonte qartësi në lidhje me furnizimin me ujë në sistemin e ftohjes dhe nivelin e ujit në rezervuarin e digës. Secila palë ka akuzuar tjetrën për sabotim të digës, duke çuar në përmbytje katastrofike.
Diga dhe centrali bërthamor kanë qenë nën kontrollin rus që menjëherë pasi Moska filloi pushtimin e saj në Ukrainë në shkurt të vitit 2022. Termocentrali është mbyllur por mbetet i lidhur me rrjetin elektrik të Ukrainës në mënyrë që të ketë energji elektrike për nevoja të brendshme dhe për ftohje sistemeve.
Grossi tha se nuk kishte asnjë shenjë se forcat ruse kishin zhvendosur pajisje të rënda ushtarake në vendin e termocentralit, por se vizita e tij do të synonte të qartësonte këtë.
“Nuk kemi asnjë indikacion në këtë pikë, por nuk mund të përjashtojmë asgjë”, tha ai./REL