NGA MYZEJEN KONDURI

Ti je shtrati, ku çel jeta.
Je e tashmja dhe e ardhmja.
Je magjia, oksigjeni,
Gracka e burrit, kur vjen nata.
S’ke nevojë për piedestal,
Sytë e tu janë vetë të tillë.
Ti je qielli, ku yjet ndalen
Dhe krijojnë me dritë një pyll.

VËSHTRIM NËNE

Vështrimi i nënës
Troket e të zgjon në mëngjes,
Pa trembur ëndrrat.
Vështrimi i saj,
Mbin ku ti je,
Duke dëbuar të keqen.
Vështrimi i saj,
E harron gabimin tënd
Dhe e lë veten në harresë.
Vështrimi i saj,
Të përcjell me mallin e ikjes
Dhe të pret me mallin e kthimit,
Plot shpresë.
Vështrimi i nënës
Është liqeni ku freskohen mendimet,
Është syri ku jeta
Nuk vdes.

FJALË SHPIRTI PËR NËNËN

Nëna, emërmadhja e përjetësisë që siguron vazhdimësinë.

Nëna, streha e të gjithëve. Ajo ndriçon zemrat tona.
Sa herë i lëshojmë krahët përqafimit të saj, ndjejmë dashurinë që kurrë s’mbaron.
O Zot! Sa herë kur ajo vjen pranë me hapin e saj të lehtë dhe aromën që veç nëna e ka, të bën magji me lumturinë që dhuron e s’matet kurrë…
Të ndez dritat e ëndrrave që harlisen me pelerinën e dashurisë së saj.
Nëna është zemra jonë që sakrifikon për fëmijët, familjen, atdheun, derisa tretet në heshtje…
Edhe kur ikën nga kjo jetë, malli për ty, o nënë e dashur, s’shuhet.
Porositë e tua, edhe atje ku prehesh në paqe, vijnë si jehonë dhe ndalen në zemrën tonë që ka aq shumë mall.
O nënë! Fëmijët e tu të nisin me ëndrrat, lutjet dhe mallin që s’përgjumet.
E di, o nënë, që s’i do lotët që pikojnë nga sytë tanë, por ato s’pyesin…
Në ylberin e ditëve të kësaj jete,
Ti do të vazhdosh të përcjellësh
Besim dhe Shpresë.