20 ditë burg për vjedhje në market
Marsida V. nuk e kish menduar kurrë se një tentativë për vjedhje në një market të plazhit, do t’i shenjonte gjithë jetën. Jo vetëm u shndërrua në një subjekt penal, kur po kalonte një periudhë të errët në jetën e saj, pas një divorci që e la pa asgjë dhe me dy fëmijë të mitur për dore, po tani do të përballet me burgun. Ajo u vu në pranga për ngjarjen e ndodhur tri vite të shkuara dhe që kishte menduar se ishte mbyllur, po hallkat e sistemit të drejtësisë sociale dhe ligjore e të zbatimit të saj çuditërisht funksionuan si rrallëherë, që nga marketi që e denoncoi vjedhjen në tentativë, pa pasur mëshirë për gruan e re e të penduar, te policia e shtetit që nuk arriti të zbusë situatën në zbatim të aq shumëtrumpetuarit policim në komunitet; për të vijuar me organin e akuzës që udhëhoqi hetimet dhe gjykatën që dha vendimin e për ta mbyllur me shërbimin e provës që raportoi mosparaqitjen e Marsida Veliut pranë këtij shërbimi. Vulën e vuri sërish policia që e ndaloi 30-vjeçaren një ditë më parë. Po çfarë ndodhi për të kaluar nëpër gjithë këtë zinxhir që dëshmon se nëse nuk respekton një vendim të gjyqësorit ndëshkohesh. Ndëshkohesh se qeveria kur do vërtet e kap lepurin me qerre. Lepurin, se arinjtë e ujqërit që vjedhin të gjithë shoqërinë qarkullojnë të lirë. Nuk janë të paktë as kriminelët në kërkim që bredhin lirisht. As të dënuarit me vrasje që shijojnë lirinë me lejet e shpeshta, lëshuar nga autoritetet. Po lepujt, të pafuqishmit nuk kalojnë pa u ndëshkuar.
Në korrik të vitit 2014, Marsida V., nënë e divorcuar me dy fëmijë dhe e pastrehë, mes disa produktesh ushqimore të blera në një market në zonën e plazhit, kishte tentuar të vjedhë dhe dy kuti me krem fytyre, duke i futur në çantë. Një nga punonjëset e marketit Matilda E. e ka pikasur dhe i ka kontrolluar çantën ku janë gjetur dy kutitë. Nuk është mbyllur me kaq, pasi menaxheri i marketit Rezart M. nuk ka nguruar ta denoncojë në polici. Edhe pse ajo shfaqi pendesë të thellë për aktin, e diktuar nga gjendja e vështirë financiare që po kalonte, ngjarja mbërriti në gjykatë.
E divorcuar me dy fëmijë të mitur dhe pa banesë, ajo nuk kishte arritur t’i gëzohej as marrjes së rrogës së parë në atë periudhë. Vetëm dy javë para ngjarjes në market kishte filluar punë në një rrobaqepësi me pagë minimale. Në dhjetor të po atij viti, Gjykata e Durrësit e dënoi me 20 ditë heqje lirie, dënim të cilin e pezulloi për një periudhë 18-mujore, duke marrë parasysh rrethanat lehtësuese, përfshirë personalitetin e Marsidës dhe faktin se ajo ishte i vetmi krah pune në familje. Vendimi u pezullua, po me kusht që gjatë kësaj periudhe Marsida Veliu të mos kryente vepër tjetër penale dhe të mbante kontakte me shërbimin e provës. Çfarë ndodhi?
Në Gjykatën e Durrësit sqarojnë se ndalimi u bë pasi në janar të këtij viti vendimi është revokuar. Marsida nuk është paraqitur te Shërbimi i Provës, megjithëse ishte njoftuar për këtë. Në këto rrethana, ajo duhet të vuajë dënimin me 20 ditë burg për vjedhje në tentativë, por a e kanë marrë parasysh autoritetet ligjzbatuese se kush do të kujdeset për fëmijët gjatë mungesës së saj?
Gruaja e re, me një barrë hallesh mbi kokë, u njoftua për t’i kërkuar të paraqitet pranë shërbimit të provës, por asnjëherë nuk u pyet a e përballonte dot paraqitjen pranë këtij shërbimi. Po t'i referohesh njoftimit zyrtar të policisë, por edhe vendimit të Gjykatës ajo është banore e Shkallnurit dhe në gjendje tejet të vështirë ekonomiko-sociale. Në këto kushte çdo lëvizje drejt Durrësit, Shërbimit të Provës kushton para.
Para të cilat nuk i ka. Mbase dhe duke vlerësuar situatën e kohëve të fundit, deklaratat e forta të Kryeministrit, ministrit të Brendshëm dhe atij të Drejtësisë, si dhe ndërkombëtarëve për situatën e reformën në drejtësi, ajo e ka anashkaluar paraqitjen periodike pranë shërbimit.
E harruar në betejën e përditshme për të mbijetuar, nuk ka menduar se do të ndëshkohej sërish, se drejtësia vonoka, po nuk harroka. Të paktën jo për të dhe ata që janë në situata të ngjashme me të. Ata të margjinalizuarit, të varfrit, të pafuqishmit. Ata që nuk arrijnë të krijojnë as mëshirë te menaxherët e pronarët e marketeve, që vjedhin çdo ditë, pa ferrë në këmbë, qytetarët me çmime abuzive dhe mallra pa cilësi që lënë për të dëshiruar në raport me çmimet që kanë.
Drejtësia është në krah të të fortit. Ndaj të dobëtit tregon forcën e saj, pa menduar për pasojat dhe faktin se nuk ekzistojnë shërbime sociale dhe psikologjike për të mbështetur fëmijët e Marsidave kur ato dërgohen në burgje për të vuajtur dënimet 20-ditore a më shumë. Cila do të jetë e sotmja dhe e nesërmja e këtyre fëmijëve që teksa përballen me divorcin e rëndë të prindërve dhe pasojat e tij, duhet të përjetojnë dhe situata që rrezikojnë t'i hedhin në krahët e kriminalitetit në një të ardhme të afërt. Pa mekanizma mbrojtës ndaj grave dhe fëmijëve në situata të vështira jetese, gjithçka bëhet e pasigurtë. Jeta, gjithashtu.
Vali Qyrfyçi