Ditën e djeshme policia bëri me dije se 53-vjeçari Avni Metra, i cili ishte shpallur në kërkim për vrasjen e dy personave në Shqipëri dhe që ka jetuar për 18-vite në Britaninë e Madhe, do të ekstradohet në Shqipëri.

Për mediat britanike ka folur bashkëshortja e tij, 38-vjeçarja Linda Lami, me të cilën Metra ka një fëmijë. Ajo ka thënë se bashkëshorti e ka përdhunuar vazhdimisht gjatë 14 viteve martesë, ndërsa shprehet se burgu është pak për 53-vjeçarin, i cili ka kryer një vrasje të dyfishtë në Mat, në vitin 1997.

Për Linda Lamin, Avni Metra duhet të digjet i gjallë për të paguar gjithë të këqijat që ka bërë në tokë. Në një intervistë për Daily Mail ajo tha se Metra kishte kryer me të marrëdhënie seksuale me dhunë për rreth 14 vite.

Ajo e ka denoncuar bashkëshortin për këtë, por versioni i saj duket se nuk i ka bindur autoritetet. Avni Metra pritet të ekstradohet në Shqipëri për të vuajtur dënimin me 25 vjet burg.