TIRANE – “Ishim në lokal dhe pasi u çuam shkuam të merrnim makinën që ndodhej shumë pak metra larg. Admirimi hyri në makinë për ta nxjerrë nga parkimi, ndërsa unë po e orientoja që ai të mos godiste makinat e tjera të parkuara shumë pranë. Në atë kohë një djalë i ri iu afrua dhe e qëlloi disa herë me pistoletë. E tmerruar nisa t’i bërtisja se çfarë i bëri dhe nisa të qëlloja autorin me çadër, por ai më shtyu dhe u largua në këmbë me shpejtësi”. Kështu ka dëshmuar para oficerëve të policisë kriminale të Tiranës, bashkëshortja e 37 vjeçarit, Admirim Sako, i cili u ekzekutua mbrëmë në rrugën “Nikolla Jorgo” në Tiranë, raporton noa.al.

Sako administronte pasurinë e Deliut, të cilat u bllokuan në fund të dhjetorit të vitit të kaluar për shkak se ishin përfituar në rrugë jo ligjore. Sipas policisë hetimet janë përqendruar në konflikte të mëparshme të viktimës apo me administrimin e disa pronave të sekuestruara nga strukturat e aseteve kriminale të policisë, si dhe lidhjet shoqërore të mëparshme të viktimës.

Në polici janë shoqëruar 50 persona për t’u pyetur për ngjarjen, por më pas janë lënë të lirë.