Durrës, 2 mars 2014 – Bashkëshortja e Odise Verbofshit, autorit të masakrës së dyfishtë në ish- Kënetë, thyen heshtjen dhe në një rrëfim ekskluziv për gazetën “Panorama” tregon detaje në lidhje me aktivitetin e bashkëshortit të saj dhe mënyrën se si mësoi për krimin e dyfishtë. 

Dhurata Verbofshi është shprehur se nuk ka pasur dijeni mbi aktivitetin kriminal të bashkëshortit në lidhje me trafikun e drogës, duke shtuar se ditën 20 shkurtit kur ndodhi ngjarja ajo ishte te të afërmit e saj dhe në mesnatë është nisur drejt Korçës me bashkëshortin, pa ditur se çfarë kishte ndodhur. 

Dhurata, bashkëshorti juaj akuzohet për një ngjarje shumë të rëndë, ku përtej vrasjeve kreu një gjest akoma edhe më të keq, duke i djegur viktimat. Si ndiheni tani që mendoni se personi që ju kishit lidhur jetën ka vrarë dy rinj? 
Jam shumë e tronditur dhe nuk gjej fjalë për të shprehur dhimbjen që ndiej. Unë bashkëjetoj prej katër vitesh me Odisenë dhe kemi ndarë bashkë të mirat dhe të këqijat. Ka qenë një bashkëshort shembullor, si dhe një prind shumë i mirë. Nuk e kisha imagjinuar kurrë se do të ndodhesha në këtë situatë kaq të vështirë dhe që Odisea do të bëhej protagonist i një ngjarjeje kaq të rëndë. Jam shumë e shokuar, nuk di se çfarë të them. Akoma nuk më besohet që babai i fëmijës tim ka kryer këtë krim. 

Si është gjendja në familjen tuaj? 
Që prej momentit që kemi mësuar për krimin, të gjithë jemi të shokuar, pasi është vërtet një ngjarje shumë e rëndë. Jemi të trishtuar për fatin e dy të rinjve, të cilët u ndanë nga jeta para kohe, për fatin e Odisesë që ka në ndërgjegjen e tij dy të vdekur, për fëmijën tim që do rritet pa babanë afër, si dhe për gjithë familjen, pasi tashmë gjithçka ka ndryshuar për keq si me dorë. 

Dhurata, ju keni udhëtuar së bashku me bashkëshortin tuaj nga Durrësi në drejtim të Korçës pas ngjarjes. Kur ishte momenti i parë që Odisea ju rrëfeu krimin që kishte kryer? 
Unë isha te shtëpia e prindërve të mi. Kisha shkuar që prej mëngjesit dhe Odisea erdhi më mori në orët e vona të mbrëmjes të së enjtes. Më tha që të bëhesha gati, pasi do të niseshim për në Korçë tek disa të afërmit tanë, për të kryer një vizitë familjare. Odisea ishte më i heshtur se zakonisht dhe mendova që për shkak të punës dhe lodhjes, nuk kishte dëshirë të fliste shumë. Udhëtimi ishte normal dhe gjatë gjithë rrugës nuk më shprehu asnjë shqetësim. Shkuam në Korçë, atje më la te prindërit e kunatës, ku dhe kishim shkuar për të kryer vizitë, pasi ishte fejuar e motra. Odisea më la aty dhe u largua me justifikimin se do të takonte një shok. Në kohën që po qëndroja në shtëpi pamë që në televizor bashkëshorti im akuzohej për vrasje dhe ishte shpallur në kërkim nga policia.