10 dhjetor 2014  – Koalicioni për Gratë dhe të Rinjtë në Politikë në bashkëpunim me Shtëpia e të Drejtave të Njeriut/CRCA Shqipëri dhe me mbështetjen e Olof Palme International Center, ndanë sot publikisht në një event të posaçëm Çmimet Kombëtare “Gruaja e Vitit 2014″ në Shqipëri.

Çmimi Gruaja e Vitit në kategorinë Politikë shkoi për znj. Nora Malaj (1601 vota ose 38% e votave të dhëna për gratë në politikë), Çmimi Gruaja e Vitit në kategorin Ekonomi/Biznes shkoi për znj. Era Xhabafti (3131 vota, 49%), Çmimi Gruaja e Vitit në kategorinë Shoqeri Civile shkoi për znj. Suela Lala (1286 vota, 28%). Perkrah tre çmimeve te mesiperme, në këtë aktivitet u nda dhe një Çmim Special pas vdekjes për znj. Nimfa Jaço për kontributin e saj të madh në shoqëri civile për mbrojtjen dhe promovimin e të Drejtave të Njeriut dhe veçanërisht atë te grave.

Kjo iniciativë e lançuar në fillim të muajit Tetor ka për qëllim fuqizimin e kauzes së të drejtave dhe avancimit të grave dhe vajzave në Shqipëri, si një mjet që kontribuon në evidentimin dhe mbështetjen e tyre  në fusha të vështira shoqërore si politika, ekonomia/biznesi dhe shoqëria civile.

Gjatë vitit 2015 këtij çmimi do t’i shtohet edhe ai për Gruan në Media.

Nga një analizë e të gjithë të dhënave rezulton se në faqen ëëë.crca.al/voto ka patur më shumë se 30,000 klikime dhe 15.047 vota për 21 zonjat e nderuara. Në total, në rrjetin social Facebook, çmimi është ndarë në 8380 faqe dhe në mbi 8627 faqe të tjera (twitter etj).

Faza e parë e procesit kishte të bënte me nominimin online të emrave të grave dhe vajzave që kanë dhënë kontributin e tyre përgjatë vitit 2014 në vendin tonë, në tri kategori: Gruaja e Vitit 2014 në Politikë; Gruaja e Vitit 2014 në Ekonomi/Biznes; Gruaja e Vitit 2014 në Shoqëri Civile. Kjo fazë zgjati dy javë dhe në përfundim të saj rezultuan rreth 90 aplikime me 46 emra të nominuar në të tria kategorite. Kategoria Gruaja e Vitit 2014 në Shoqeri Civile kishte numrin më te larte te nominimeve me 23 emra, e ndjekur nga Kategoria Gruaja e Vitit 2014 ne Politike me 16 emra dhe Kategoria Gruaja e Vitit 2014 ne Ekonomi/Biznes me 7 emra. Pas një përzgjedhje paraprake të emrave të nominuar nga anëtarët e Koalicionit, garen mundën ta vazhdonin vetëm 10 gra në Politike, 3 gra ne Ekonomi/Biznes dhe 9 gra në Shoqëri Civile. Më pas, propozimet e zgjedhura u votuan dhe u vlerësuan online nga publiku i gjerë për një periudhë një mujore.

Dhënia e këtij çmimi, synon të shërbejë gjithashtu, si një nxitje për gratë dhe vajzat në fushat e sipërpërmendura për të mbështetur dhe përkrahur gra dhe vajza të tjera, në vitet në vijim, të cilat dëshirojnë të punojnë e kontribuojnë në politike, shoqëri civile dhe ekonomi.