Tetë punonjës të burgut të Fushë-Krujës janë pezulluar nga detyra, pasi është zbuluar një rast i futjes së lëndëve narkotike brenda ambienteve të burgut.
Pas një hetimi disamujor me metoda speciale nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve është bërë i mundur dokumentimi i një aktiviteti kriminal, ku një të dënuari i futej kanabis në burg nga bashkëshortja e tij, dhe më pas ai e shiste brenda ambienteve të IEBP-së së Fushë-Krujës.
U zbulua që i dënuari Isuf Rama (i dënuar për drogë), shiste hashash në burg tek të dënuarit e tjerë kundrejt kartave telefonike, me kosto 1 mijë lekë të rinj. Droga futej në burg përmes bashkëshortes së tij Shkëndije Rama, për të cilën gjykata vendosi masën arrest shtëpiak.
Gruaja e fshihte drogën në vendet intime, ndërkohë që si detaj rëndues për të janë edhe përgjimet telefonike. Gruaja ia jepte hashashin bashkëshortit në momentin që ata kishin takim special.
Punonjësit e pezulluar janë:
1-B. A, i datëlindjes 18.06.1968, lindur në Lezhë e banues në Tiranë, me detyrë specialist i regjimit të jashtë;
2-S.Xh, e datëlindjes 25.02.1964, lindur në Dibër e banuese në Tiranë, me detyrë kontrollore e familjareve;
3-L.C, e datëlindjes 31.03.1961, lindur e banuese në Fushë Krujë, me detyrë kontrollore e familjareve.
4-L. S, i datëlindjes 16.04.1964, lindur e banues në Fushë Krujë, me detyrë Punonjës policie në regjim të brendshëm;
5-A.D, i datëlindjes 18.07.1979, lindur e banues në Fushë Krujë, me detyrë Punonjës policie në regjim të brendshëm;
6-O.K, i datëlindjes 07.07.1986 lindur e banues në Fushë Krujë, me detyrë Punonjës policie në regjim të brendshëm;
7-D. P, i datëlindjes 10.11.1968, lindur e banues në Fushë Krujë, me detyrë Punonjës policie në regjim të brendshëm;
8-L.C, i datëlindjes 21.01.1973, lindur e banues në Krujë, me detyrë Punonjës policie në regjim të brendshëm.
Forcimi i masave të sigurisë në të gjitha Institucionet e Ekzekutimit të Veprave Penale ka qenë një nga prioritetet kryesore të Ministrisë së Drejtësisë, ku janë ndërmarrë një sërë masash të forta ndaj të gjithë shkelësve të ligjit.
Ndërkohë, së fundmi ministrja Gjonaj ka ndërruar të gjithë shefat e policisë së Burgjeve duke i dhënë përparësi figurave me integritet dhe përgatitje të lartë profesionale.





