Gruaja tenton të vrasë me thikë bashkëshortin në gjumë, duke e goditur 6 herë me thikë dhe të dy përfundojnë të arrestuar.

Ngjarja e rëndë është shënuar në Bulqizë, ku autorja e dyshuar është Rudina Basha, 36 vjeçe, e cila ka tentuar të vrasë bashkëshortin e saj Besnik Basha, 45 vjeç.

Krimi është shënuar rreth orës 03:00 të mëngjesit në banesën e marrë me qira nga ana e gruas.

Policia informon se 45-vjeçari është plagosur dhe ndodhet në Spitalin e Dibrës jashtë rrezikut për jetën, por është arrestuar në flagrancë nga policia për “Armëmbajtje pa leje”, pasi në banesën e tij është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri pushkë model 63 si dhe një krehër me 10 fishekë.

Në pranga ka përfunduar edhe Rudina Basha për akuzën e “vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare”, mbetur në tentativë.

Grupi hetimor sekuestroi thikën si provë materiale dhe materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës Parë për Krime të Rënda Tiranë.