TIRANE – “Kemi 18 vjet që jemi divorcuar, kemi ndarë edhe shtëpinë, ku secili ka marrë pjesën që i takon, por ish-burri im vjen në banesë, më kërcënon dhe zhvishet para meje duke më ofruar para sikur të isha prostitutë”.
Kjo me pak fjalë është padia e ngritur në Komisariatin e Policisë Nr.4 nga një grua me inicialet M.Sh, lindur dhe banuese në Tiranë, në adresën Rr. “Ali Baushi”. Ajo ka kërkuar mbrojtje nga bashkëshorti i saj, duke pretenduar se ai ka ushtruar presione dhe kërcënime të vazhdueshme.
Pasi ka marrë ankesën e gruas, Komisariati i Policisë e ka përcjellë dosjen në Gjykatën e Tiranës, duke kërkuar që togat e zeza të lëshojnë një urdhër mbrojtjeje për gruan e dhunuar. Gjykata, referuar padisë së përcjellë nga policia, ka thirrur si dëshmitare shtetasen M.Sh, e cila ka dëshmuar se kërkon mbrojtje nga ish-bashkëshorti i saj.
“Kemi 18 vjet të ndarë. Shtëpinë e kemi pjesëtuar, por ai vjen herë pas here te pjesa ime dhe çfarë nuk bën. Më kërcënon, zhvishet para meje, më drejton lekë, sikur jam prostitute. Më bën presion psikologjik në çdo moment. Thotë se do të largohet, por vjen te shtëpia ime prapë dhe më krijon presion. Kam frikë se më vret”, ka dëshmuar gruaja në gjykatë.
Bazuar në këtë dëshmi të gruas, gjykata ka vendosur që ish-burri i paditëses, shtetasi Filip R, të mos kryejë vepër të dhunës në familje ndaj paditëses M.Sh. Ai urdhërohet të mos kërcënojë paditësen, të mos cenojë, ngacmojë apo kontaktojë me të, të largohet nga banesa për një periudhë kohe prej 1 viti dhe të mos lejohet të rihyjë pa autorizimin e gjykatës. Ai urdhërohet të mos i afrohet paditëses në një distancë prej 100 metrash, ndërsa kohëzgjatja e këtij urdhri është 1 (një) vit.





