Policia e Durrësit ka dyshime se gruaja që u gjet e pajetë një ditë më parë në bregdet, edhe mund të jetë vrarë.

Nga këqyrja e kufomës nuk janë gjetur shenja dhune, por grupi hetimor po heton në të gjitha pistat, pa përjashtuar mbytjen e qëllimtë, pasi viktima është gjetur e veshur me rroba.

Ekziston mundësia që ajo mund të jetë mbytur nga persona të tjerë dhe mund të jetë hedhur nga ndonjë anije.

Por kufoma nuk është identifikuar ende, e nuk dihet nëse është shqiptare apo e huaj, dhe kjo e vështirëson akoma më shumë punën e hetuesve.

Ajo u gjet nga dy djem të rinj, të cilët po laheshin disa metra larg bregut të detit pranë Pistës së Vogël, rreth orës 17.15 të së martës. Viktima është rreth 40 vjeçe, rreth 1. 60 m e gjatë, me flokë të zeza të gjata rreth 20 cm dhe ezmere në fytyrë. Ka të veshura një palë pantallona xhins, ngjyrë blu të errët, bluzë me mëngë të shkurtra, ngjyrë të kuqe. Në dorën e majtë ka një orë dore me zinxhir metalik dhe në gishtin e parafundit ka një unazë me një gurë rozë.

Policia bën thirrje që personat që munden ta identifikojnë viktimën të telefonojnë në numrin pa pagesë 129.

Ndërkohë vijojnë hetimet për identifikimin e saj dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.