TIRANE – Burri më vuri pistoletën tek koka, sepse dyshonte se unë e tradhtoja”,- janë fjalët që 25-vjeçarja Hikmete Ukaj nga Spitali Ushtarak, ku është shtruar për shkak të plagëve të shumta që ka marrë pas hedhjes nga kati i katërt i pallatit ku banonte në Durrës. Gjatë një interviste për “Gazeta Shqiptare”25-vjeçarja me origjinë nga Kukësi pohon se “jeta i ishte bërë e padurueshme, aq sa zgjidhja e vetme i kishte ngelur vdekja”.
Vetëm me disa përgjigje të shkurtra 25 vjeçarja rrëfen jetën skëterrë që ka përjetuar përkrah të shoqit, ndërkohë që dhimbja e saj më e madhe është fakti se 40 vjeçari me precedentë të mëparshëm penalë ka kthyer kundër saj vajzën e tyre të vetme.
Ndërsa merr vesh se bashkëshorti i saj Ylberi është lënë i lirë nga policia Hikmetja trembet se situatat e mëparshme mund të përsëriten sërish nëse do të kthehet në shtëpi. Dy ditë më parë ajo rrezikoi të kthehej në viktimën e rradhës të dhunës në familje, që gjatë vitit që sapo lamë pas u kushtoi jetën shumë grave.
Si ndodhi ngjarja?
Të martën në orën një isha në shtëpi me babain tim dhe erdhi burri, Ylberi, i cili si zakonisht filloi të bërtiste dhe nisi me muhabetet e veta. Ai në sy të babait më vuri pistoletën në kokë dhe më kërkoi lekë, sepse sa herë që kishte probleme, këtë gjë më bënte.
Prej sa kohësh kishit probleme?
Kemi dy vjet që nuk shkojmë më si çift, u ndamë për tre muaj, por ai nuk më jepte vajzën dhe u detyrova që të rri me atë. Por, jeta përkrah tij ishte bërë e padurueshme dhe vendosa që si zgjidhje të vetme të hidhesha nga kati i katërt. Burri im ka qenë i dënuar edhe më parë, madje është arratisur edhe nga burgu në Greqi. Është dënuar më parë për vjedhje, ka dërguar edhe refugjatë klandestinë në kufi dhe gjithë kohës kishim probleme.
Në momentin që u hodhe nga kati i katërt, nuk mendove për vajzën?
Unë u hodha për të vdekur, jo për të shpëtuar. E mendova gjatë edhe vajzën, por jeta përkrah burrit tim nuk durohet. Sa herë që ai kishte probleme, më kërcënonte me armë, më kërkonte lekë. Madje, ai më akuzonte se unë e tradhtoja, vajzën nuk më linte ta shikoja sa herë që unë doja të largohesha prej tij dhe nuk e shtyja dot më.
Ju pak më parë folët me burrin tuaj dhe vajzën, cilat ishin fjalët që ju thanë?
Burri im është lënë i lirë nga policia dhe më tha në telefon: ‘E shikon, dola i pafajshëm’. Por më e keqja është se ai ka kthyer edhe vajzën kundër meje dhe i ka thënë që mami donte të më vriste mua, prandaj është në spital. Sapo më tha vajza në telefon: “Mami, pse doje ta vrisje babin?”. Ajo është e vogël dhe nuk i kupton gjërat.
Po mjekët ju kanë thënë gjë për gjendjen tuaj shëndetësore?
Po, më kanë thënë që kam një frakturë në këmbë, kam probleme me krahët, me pjesën e legenit, por edhe probleme në kokë, veçanërisht tek syri i djathtë.





