Nga Gladiola Busulla
Durrës, 11 nëntor 2013 – Dua t’i rikthehem vazhdimisht temës së gruas shqiptare. Është një fenomen “sui generis”, befasuese dhe unike në llojin e saj.Femra në Shqipëri doli nga sundimi osman me një prapambetje të theksuar arsimore. Kjo për shkak të mungesës së sistemit arsimor kombëtar. Në vitin 1912 në vend ekzistonin vetëm 250 shkolla të huaja. Me këtë gjendje të shkollave kuptohet shkalla e lartë e analfabetizmit të popullit tonë dhe në veçanti e femrës.
Në këto kushte shteti shqiptar, krahas detyrave të tjera të rëndësishme për zhvillimin e vendit, kishte dhe një tjetër mision tejet të rëndësishëm. Qeveria e Vlorës, me gjithë kushtet e vështira objektive dhe subjektive, të krijuara pas vitit 1912, me politikën e saj arsimore synonte të krijonte sistemin arsimor me frymë kombëtare, demokratike dhe laike; krijimin e kuadrit mësimor si dhe realizmin e arsimit fillor të detyrueshëm. Në këtë kuadër, kujdes iu kushtua arsimit femëror.
Për të realizuar tërheqjen e vajzave në shkollë, u shtrua si detyrë krijimi i shkollës shtetërore femërore dhe hartimi i programit shkollor të veçantë për të.
Krijimi i një shkolle të tillë në Shqipëri ishte i domosdoshëm. Së pari, për shkak të prapambetjes në të cilën ndodhej vendi; së dyti, fanatizmi dhe mendimi konservator për femrën në shoqërinë shqiptare ishte mbizotërues; së treti, pjesa dërrmuese e popullsisë ishte e besimit mysliman.
Kjo pjesë zbatonte zakonin e mbylljes së vajzës në moshë fare të re, duke prekur kështu një pjesë të viteve të moshës shkollore. Çelja e shkollës femërore ishte më e pranueshme edhe për popullsinë e dy besimeve të tjera, në veçanti për klerin katolik i cili ishte kundër shkollave të përziera (djem e vajza).
Në bazë të të dhënave arkivore, shkolla e parë fillore femërore shtetërore u çel në vitin shkollor 1913-1914, në qytetin e Lushnjës, me një kapacitet prej 30 nxënësesh. Po atë vit, u riçel shkolla e parë e vashave "Qiriazi" në qytetin e Korçës.
Në vitin 1914-1915, në qytetin e Shkodrës, shteti çeli shkollën fillore femërore në lagjen "Serreq". Me gjithë kushtet e vëshitra të krijuara për Shqipërinë gjatë Luftës së Parë Botërore, vijoi çelja e shkollave femërore shtetërore.
Në vitin 1915-1916, u çelën shkolla fillore femërore në qytetin e Vlorës dhe shkolla e dytë fillore femërore në Shkodër me emrin "Xhamia e Begos". Krijimtaria poetike e femrave shqiptare është shfaqur relativisht vonë. Ndonëse gjatë periudhave të Rilindjes dhe Pavarësië nuk rezulton ndonjë vëllim poetik i botuar nga ndonjë grua a vajzë, që nga thellësia e shekujve nuk kanë ngurruar të vijë jehona e ninullave shqiptare aq të thjeshta, aq magjepsëse dhe të dlira njëkohësisht; një pasuri e pambarimtë e ndjesive të një shpirti të çiltër, me dëshira, ëndrra e përfytyrime që mund të jenë inspirim për penelatat e një piktori të madh.
Janë ninulla që nuk mund të dëgjohen pa të rrahura zemre e emocione.Të bëjnë të mendosh i kredhur në një det të pafund dashurie.Cikli i kreshnikëve me “Ajkuna qan Omerin” e plot vargje të tjera është dëshmi e plotë dhe e saktë e vlerave të krijimtarisë poetike në gojën e femrës shqiptare. Kjo krijimtari gojore ishte padyshim një bazë për një krijimtari të mirëfilltë, por mbeti brenda atyre qenieve trupforta e shpirtbrishta, të cilat u penguan nga pushtimet e huaja e tok me to edhe nga dhjetra mentalitete primitive dhe të imponuara të kohërave të vështira që plagosën vendin tonë. Një fillim shfaqja e krijmtarisë femërore filloi të nëpërduket në botimet e para edhe të pas luftës e nisen të përfshihen më gjërësisht në kohën e Metodës së Realizmit Socialist. Sa i mirë ai fillim, aq ishte edhe një shoë mjeran sepse ajo metodë bëhej pengesë dhe nuk lejonte të shfaqej thuajse asgjë nga bota e pasur shpirtërore e femrës shqiptare, e cila ishte e detyruar, si të gjithë të tjerët, të strukej paradoksalisht pas shterpësisë e varfërie krijuese, që përmblidhej në një tematikë pushkësh, kazmash e lopatash, apo të dëshirës për t’i rritur fëmijët si robotë të programimit komunist. Edhe pse flitej për realizëm, asnjë e vertetë nuk shfaqej realisht, veç e strukturuar sipas disa skemave stereotip, të cilat të çonin në pohime sa të pabesueshme, aq dhe absurde. Rrallëherë vjershërimi femëror shqiptar mund të dilte nga skema. Megjithatë qoftë dhe tek një përrallëz e treguar në vargje, kemi ndeshur në vlera artistike të cilat mund t’i kenë “shpëtuar” censurës. Duke kapërcyer ndalesat absurde të Realizmit Socialist, krijimi poetik shqiptar, erdhi duke gjetur hapësira të pëlqyeshme në të gjitha shtigjet e jetës, zgjodhi e po ndalet te mrekullitë e ndjesive aq të bukura njerëzore, që lulëzojnë e harlisen pa asnjë paragjykim fanatik. Këtë fakt krijimi po e gjejmë të mrekullueshëm dhe më bukur se kudo, ndër vargjet e ndjera të grave a të vajzave poete shqiptare, në mes të të cilave kanë ardhur duke gjetur vendin e vet shumë natyrshën poeteshat Mimoza Ahmeti, Luljeta Lleshanaku, Ana Kove, Flora Dervishi, e plot vajza e gra të tjera, të cilat krijojnë edhe në gjinitë e tregimit, të prozës së gjatë dhe të studimit shkencor letrar. Në nderim të punës dhe të krijimtarisë së saj, pse jo dhe për lokalizëm, po citoj disa vargje nga krijimtaria e Flora Dervishit:
Në revanin e kohës
Lodhemi, por s’vdesim.
Sa herë te çasti i parë kthehemi
Të pavdekshëm mbesim.
Në përmbyllje të temës dua të mbitheksoj se ngritja arsimore e femrës sjell impakt pozitiv tek brezat e rinj. E gjithë shoqëria duhet të ndërgjegjësohet se femra shqiptare është Rozafa, Teuta, Nënë Tereza të cilat kanë gjurmë të thella në histori duke i skalitur me gërma të arta, emrat e tyre.





