Dhjetë gra të suksesshme në qytetin e Durrësit, të fushave të ndryshme nga mjekësia, arsimi, forcat e armatosura, bujqësia, arti e biznesi, janë promovuar sot në aktivitetin “Gruaja, simbol i qëndresës”.

Për ideatoren dhe organizatoren e këtij eventi Myzejen Konduri, gruaja është një mrekulli, e cila dhuron vetëm dashuri. Arsyeja e përzgjedhjes së këtyre 10 grave të nderuara që kanë kontribuuar për qytetin e Durrësit, nuk është vetëm profesionalizmi i arrirë në fushën ku ato punojnë prej vitesh me pasion e dashuri, por dhe përkushtimi i tyre në familje, si nëna e si bashkëshorte.

“Gruaja nuk është një qenie e brishtë, ajo përballet gjatë jetës me shumë kurthe e vështirësi, duke u bërë dhe simbol i qëndresës. Por gruaja është shumë e përkushtuar në familje, dhe shumë e suksesshme në punë, dhe ndaj sot këto zonja kanë nderin të qëndrojnë në fronin që u kemi përcaktuar”, tha Myzejen Konduri.

Shfaqja me në qendër figurën e gruas, nuk kaloi pa përcjellë sigurisht dhe një sensibilizim për fëmijët në nevojë nga këto gra të suksesshme, me dashurinë e dhembshurinë që i karakterizojnë. 20 fëmijë në nevojë të shkollës “Met Hasa”, disa prej të cilëve fati i hidhur i ka lënë pa nënë e pa baba, ishin qershia mbi tortë e këtij aktiviteti, për të cilët në fund u shpërndanë ndihma.

Me praninë tuaj do të lehtësohet sadopak mungesa e prindërve të mi”; “Me ndihmën tuaj, ju do të na shtoni buzëqeshjet dhe lumturinë”; “Ne kemi nevojë për mbështetjen tuaj”, ishin mesazhet prekëse që dhanë fëmijët në skenë, duke përlotur edhe të pranishmit.

Të ftuara speciale në këtë aktivitet që zhvillohet për të 14-tin vit radhazi në Durrës ishin dhe zëvendëskryeministrja e Kosovës Edita Tahiri dhe deputetja tjetër kosovare Flora Brovina, të cilat u nderuan në fund të spektaklit me titullin “Mirënjohje e Durrësit” me motivacionin “Simbol i qëndresës së gruas në shërbim të vendit dhe komunitetit si dhe për vlerat e spikatura intelektuale, qytetare dhe humane”. Titujt e mirënjohjes u akorduan nga prefekti i qarkut të Durrësit Rolant Xhelili.

S.L.