Një grua nga Peruja është arrestuar në Bali, pasi dyshohet se ka tentuar të trafikojë kokainë në ishullin turistik indonezian duke përdorur një lodër seksuale dhe duke fshehur drogë edhe në të brendshme, njoftoi policia.

Gruaja 42-vjeçare, e identifikuar vetëm me inicialet N.S., mbërriti në aeroportin ndërkombëtar të Balit nga Katari më 12 gusht, kur autoritetet u bënë dyshuese për sjelljen e saj.

“Dogana dyshoi për sjelljen e saj dhe pas konsultimit me policinë, u vendos që të kontrollohej më tej”, tha në një konferencë për shtyp drejtori i njësisë së narkotikëve të policisë së Balit, Radiant, i cili, si shumë indonezianë, mban vetëm një emër.

Oficerët gjetën 1.4 kilogramë kokainë të fshehur brenda një lodre seksi në organet gjenitale të saj dhe në të brendshme. Policia gjithashtu e akuzon për trafikim të dhjetëra tabletave ekstazi.

Gruaja peruane u tha hetuesve se ishte punësuar për të transportuar drogën në Indonezi nga një burrë që kishte njohur në “dark web” në prill, në këmbim të 20 mijë dollarëve, shtoi Radiant.

Ajo është akuzuar sipas ligjit të ashpër antidrogë të Indonezisë dhe mund të përballet me dënimin me vdekje nëse shpallet fajtore.

Muajin e kaluar, një gjykatë në Bali dënoi me shtatë vite burg një grua 46-vjeçare nga Argjentina, e cila u shpall fajtore për trafikim të 244 gramëve kokainë, të mbështjella me prezervativ dhe të fshehura në organet e saj gjenitale.

Indonezia ka disa nga ligjet më të ashpra në botë kundër drogës. Aktualisht dhjetëra trafikantë ndodhen në radhë për ekzekutim, mes tyre edhe një britanike 69-vjeçare e dënuar për trafik kokaine.

Ekzekutimet e fundit në vend u kryen në vitin 2016, kur një indonezian dhe tre nigerianë të dënuar për drogë u pushkatuan nga skuadra e ekzekutimit.