Finalizohet operacioni policor i koduar “Last Threat” në Durrës, ku policia ka arrestuar 3 persona. Sipas policisë, një grua 49 vjeçe cila ushtronte prostitucion, në bashkëpunim me 1 mik të saj 40-vjeçar, kërcënonte me mjet prerës, klientët, për t’iu marrë shuma të mëdha parash. Veç këtyre të dyve, në pranga ra dhe një shtetas tjetër që shoqërohej me 40-vjeçarin, pasi gjatë kontrollit i gjetën një sasi kokaine të ndarë në doza gati për shitje.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Jetës dhe Pasurisë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Durrës dhe me mbështetjen e forcave operacionale të DVP Durrës, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Last Threat”.

Në kuadër të operacionit u vunë në pranga shtetasit R. Lamnica, 40 vjeç, banues në Shënavlash, Durrës, Alma H., 49 vjeçe, banuese në Spitallë, Durrës dhe A. Hasa, 21 vjeç, banues në Durrës.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se shtetasja Alma H. i ka ofruar favore seksuale, kundrejt pagesës, shtetasit F. Ç., në banesën e saj. Më pas, në bashkëpunim me shtetasin R. Lamnica, e kanë kërcënuar shtetasin F. Ç. me mjet prerës (thikë), dhe i kanë marrë 65,000 lekë të rinj.

Po nga hetimet ka rezultuar se shtetasja Alma H. ushtronte prostitucion dhe më pas shtetasi R. Lamnica iu bënte foto intime klientëve, si dhe i kërcënonte për të paguar shuma të mëdha parash, me qëllim mospublikimin e fotove.

Operacioni ka nisur një javë më parë. Gjatë tij, fillimisht u vu në pranga shtetasja Alma H. dhe gjatë ditës së djeshme u vu në pranga shtetasi R. Lamnica.

Po gjatë operacionit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. Hysa, 21 vjeç, pasi në momentin e kapjes së shtetasit R. Lamnica, ky shtetas ishte bashkë me të dhe gjatë kontrollit, Policia i gjeti një sasi lënde narkotike kokainë të ndarë në doza gati për shitje.

Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna për identifikimin e shtetasve të tjerë që janë kërcënuar nga këta shtetas, si dhe për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të veprimtarisë kriminale që kryhej nga këta shtetas.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për shtetasit R. L. dhe A. H., për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, kryer në bashkëpunim, dhe “Prostitucioni”, si dhe për 21-vjeçarin, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.