Kavajë, 23 maj 2014 – Një grua 42 vjeçare, nënë e tri vajzave, është vënë në pranga nga Policia e Kavajës, pasi ka rrahur të shoqin, duke i lënë shenja të dukshme në fytyrë. Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr.5 të Kavajës pasditen e së mërkurës dhe është denoncuar në mbrëmje nga i dëmtuari Agim Saraçi, 56 vjeç, i cili nuk e kishte për herë të parë dhunën nga gruaja.

Madje, ndaj tij Gjykata kishte vendosur edhe një urdhër mbrojtjeje, që detyronte autoren e ngjarjes, Dhurata Saraçi, që të mos i afrohej për një vit të shoqit, e aq më pak ta kërcënonte apo ta godiste sërish.

Megjithatë, duket se xhelozia që kishte ndaj të shoqit ka qenë më e fortë sesa detyrimi ligjor, të cilin ishte e urdhëruar nga Gjykata e Kavajës ta zbatonte për një vit rresht. Burimet thanë se 42-vjeçarja nuk ka duruar dot më, duke rrahur prapë bashkëshortin, në momentin e parë që ka dyshuar se ai vazhdonte të fliste me fqinjën, për të cilën ajo dyshonte se kishte lidhje jashtëmartesore.

Burime nga Policia e Tiranës thanë se gjatë deklarimeve që ka dhënë për oficerët e Policisë Gjyqësore, e dyshuara ka tentuar të shfajësohet duke pretenduar se në momentin e ngjarjes ka pasur probleme depresive dhe nuk e ka kuptuar se çfarë po bënte. Megjithatë ka pranuar faktin se është xheloze për të shoqin.

Saraçi ishte paraqitur në komisaraitin e policisë edhe në datë 21 prill, duke denoncuar të shoqen, madje edhe duke kërkuar urdhër mbrojtjeje, e cila i ishte lëshuar nga gjykata.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/