Në prag të festës së Shën Valentinit, një grua 48-vjeçare u arrestua nga policia e Tiranës, pas “dhuratës” së veçantë që i bëri bashkëshortit të saj me të cilin kishte mosmarrëveshje.
Gruaja e arrestuar Mimoza D., ka shkatërruar me levë hekuri makinën e bashkëshortit, tip “Benz ML”, duke i thyer xhamat dhe shpuar gomat. Ngjarja ka ndodhur pasditen e së shtunës në rrugën “Irfan Tomini”, kur policia vuri në pranga nënën e tre fëmijëve.
Ngjarja fillimisht është denoncuar pa autor nga bashkëshorti i gruas xheloze, shtetasi Lekë D., kur ai ka parë makinën të shkatërruar në vendin ku e kishte parkuar para pallatit.
Uniformat blu nisën menjëherë hetimet për ngjarjen duke marrë në pyetje familjarët e të dëmtuarit. Por Mimoza D. nuk ka pritur të dëgjojë më shumë pyetje, duke thënë se ishte ajo autorja e ngjarjes.
Si e realizoi gruaja planin e hakmarrjes
E dyshuara, gjatë deklarimeve të saj në polici, ka shpjeguar se makinën e të shoqit e ka dëmtuar për motive xhelozie. Sipas saj, kishte disa muaj që ajo kishte mosmarrëveshje me të shoqin, për shkak se ai kthehej vonë në shtëpi dhe nuk i jepte shpjegime se ku kishte qenë.
Madje në disa raste, kur ajo e pyeste pse ishte vonuar, ai nevrikosej dhe ngrinte zërin, duke ushtruar dhunë psikologjike ndaj saj. Këto veprime, sipas të arrestuarës, e kishin bërë atë të dyshojë se i shoqi mund të kishte ndonjë lidhje jashtëmartesore dhe për këtë arsye kishte vendosur të hakmerrej.
Ajo ka treguar se edhe të shtunën, pavarësisht se ishte pushim, bashkëshorti i saj ishte kthyer vonë në shtëpi dhe nuk kishte ngrënë drekë me familjen, duke thënë se kishte ngrënë jashtë.
Për këtë arsye, ajo ka pritur derisa ai është shtrirë për të fjetur dhe më pas, rreth orës 16:00, ka dalë jashtë dhe me një levë hekuri që ka nxjerrë nga bagazhi i makinës, ka nisur të thyejë xhamat e mjetit të të shoqit e në fund e ka mbyllur duke i shpuar gomat.