Ish-Kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski ka marrë strehim politik në Hungari. Të paktën kështu shkruajnë mediat maqedonase, duke iu referuar burimeve pranë ish-Kryeministrit. Autoritetet nuk po arrinin ta gjenin prej 8 Nëntorit kur ai duhej të paraqitej në burg, për të vuajtur dënimin me 2 vite burg dhënë nga Gjykata Penale e Shkupit i shpallur fajtor për abuzim me tenderat kur ishte Kryeministër.
Por Nikolla Gruevski tashmë ndodhet në Hungari dhe prej andej bëri publike përmes Facebook-ut, arsyet pse kërkoi azil.
“Ditët e fundit kam marrë një numër të madh kërcënimesh me jetë. Unë jam në Budapest dhe kam kërkuar azil politik nga autoritetet hungareze. Gjithmonë do t’i qëndroj besnik kauzës së Maqedonisë. Asnjëherë nuk do të kthehem mbrapa”.
Autoritetet e shpallën në kërkim mbrëmjen e të hënës, pas urdhër-arrestit të lëshuar nga gjykatësit në Shkup. Të premten, Parlamenti maqedonas nuk arriti t’i heqë imunitetin e deputetit Gruevskit, pasi nuk u arritën 2/3 e votave.
Megjithatë Gjykata Penale kërkoi që ai të burgosej. Nikolla Gruevski u shpall fajtor në muajin maj për rastin “Tanku”, i akuzuar për abuzim me fondet publike lidhur me automjetin tip Mercedes-Benz të përdorur nga ai. Avokatët mbrojtës dështuan të anulonin ekzkutimin e urdhër-arrestit. Tashmë ish-Kryeministrit i mbetet si shpresë e vetme falja nga presidenti Gjorge Ivanov.