Një ditë pasi partitë parlamentare vendosën shtyrjen e zgjedhjeve lokale për mesin e muajit tetor, partia e Nikolla Grurvskit, e cila nuk ishte e pranishme në takimin e thirrur nga kryetari i kuvendit Talat Xhaferri, propozon që bashkë me votimet për të zgjedhurit lokalë të zhvillohen edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Përmes një deklarate të publikuar nga VMRO-DPMNE, Gruevski thekson se partia e tij është fituese e zgjedhjeve të fundit dhe e tillë do të jetë edhe në ato lokale.
Sipas Gruevskit, zgjedhjet e reja parlamentare do të sqaronin shumë çështje në skenën politike në Maqedoni. Qytetarëve duhet t’u jepet mundësi të shprehin qëndrimin e tyre për atë çka LSDM ka bërë në periudhën e pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit-thuhet në deklaratë.
Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme nga ndërkombëtarët situata politike në Maqedoni mbetet bllokuar, për shkak të refuzimit të presidentit Gjorgje Ivanov që të mandatojë Zoran Zaevin si kryeministër.
Afati i fundit është 19 maji, kur skadon koha e lënë nga kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi. Pas kësaj date, kryeparlamentari ka të drejtën, siç thotë ai, të mandatojë me shumicë parlamentare qeverinë e re.